
Reali rimerr kreun, Sergio Ramos bën Ronaldon
24 orë pas fitores minimale të Barcelonës ndaj Athletic Bilbaos, Real Madridi rikthehet në krye të La Ligas. “Los Blancos” bënë detyrën në stadiumin “Alfredo di Stefano”, ku mposhtën me rezultatin 2-0 Mallorcan.
Suksesi i pritshëm ky i skuadrës së drejtuar nga Zinedine Zidane, që i mbeten edhe shtatë finale për të zbritur Barcelonën nga froni i kampionit.
I bukur goli i parë i ndeshjes i shënuar nga Vinicius Jr në minutën e 19-të, por edhe më i mrekullueshëm ekzekutimi i goditjes së lirë në stilin alla-Ronaldo nga Sergio Ramos, që ka marrë statusin e goleadorit te Reali, teksa ka shënuar tri herë në katër ndeshjet e fundit.
Celta Vigo fut në krizë të thellë Real Sociedadin, duke e mposhtur 0-1 në San Sebastian, ku gjithçka u vendos nga goli i Aspas me 11-metërsh. Po 0-1 Osasuna fitoi në fushën e Alavesit me gol të Latos.