Ditari sekret i Enver Hoxhës: Projekti i panjohur për t’u hapur me Perëndimin që në
Familjet italiane të “picave”
Çdo herë kur përmendet Italia, ne menjëherë kujtojmë ushqimin e mrekullueshëm, sidomos picën e cila është një nga ushqimet më të dashura italiane e madje edhe në të gjithë botën. Por, çka e bën picën italiane kaq të veçantë dhe cila është historia e saj?
Gastronomia e Italisë është një nga pikat e saj më të forta. Vera, vaji i ullirit dhe djathërat e Napolit ku lindi pica janë bërë përfaqësim i denjë i vendit. Madje në vitin 2017, tradita dhe pasioni i qytetit të Napolit për gatimin e picave u njoh nga UNESCO si pjesë e trashëgimisë kulturore të paprekshme të këtij qyteti.
Familjet italiane kanë përsosur artin e gatimit të picave. Secila familje ruan me fanatizëm variacionet dhe sekretet e tyre që i kanë bartur brez pas brezi me krenari.
Ekzistojnë tre lloje themelore të picave napolitane: margarita, me salcën e domates, djathin mocarela dhe borzilokun e freskët; marinara, e cila e largon djathin dhe përdor rigon dhe hudhër në vend të borzilokut; dhe pica origjinale e bërë me mocarela “di bufala”.
Pica thuhet se daton nga viti 1700, pasi eksploruesit sollën një nga përbërësit thelbësorë, domaten, nga Peruja. Por edhe para kësaj, napolitanët kishin përgatitur një version të pitës së sjellë nga imigrantët arabë e cila më vonë u shndërrua në “pica” në dialektin lokal. Shumica e evropianëve të klasit të lartë e shikuan importin e ri të domates me dyshim dhe fillimisht e konsideruan atë si helmuese por napolitanët e thyen këtë mit dhe sollën prej saj një prej ushqimeve më të shijshme, picën.
Bukëpjekësi Raffaele Esposito mori meritat për shpikjen e picës margarita, në vitin 1889, për nder të vizitës së mbretëreshës Margherita di Savoia, gruas së mbretit Umberto I, në qytet. Ngjyrat e flamurit italian u pasqyruan në përbërësit: domate për të kuqen; djathë për të bardhën; dhe borzilok për ngjyrën e gjelbër. Dhe kështu, lindi pica, ikonë e Italisë.
Sot, ka më shumë se 500 piceri në Napoli, por vetëm një e pesta e tyre janë të çertifikuara nga Shoqata e Picave të Vërteta Napolitane, një organizatë që u krijua në 1984 për të mbrojtur dhe dalluar picat autentike. Kriteret e saj përfshijnë gjithçka nga lloji i miellit në brumë deri tek origjina e djathit por edhe stili i përgatitjes. Shoqata tani mban edhe një konkurs vjetor për të gjykuar dhe zgjedhur prodhuesit e picave më të mira në botë. Franco Pepe ka fituar tre vitet e fundit me radhë.