
Reagime të ashpra në Tiranë pas publikimit të aktakuzave ndaj Thaçi e Veselit
Pas publikimit të akuzës nga Prokuroria e posaçme për Kosovën ndaj Presidentit Hashim Thaçi dhe drejtuesit të PDK-së-Kadri Veseli, edhe në Shqipëri pati reagime nga qarqet politike.
Kryeministri Edi Rama deklaroi në parlament se “ishte i indinjuar për akuzat ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së dhe se ishte në krah të gjithë atyre që luftuan për lirinë e Kosovës”.
Ai i kushtoi një fjalim të posaçëm akuzave ndaj ish drejtuesve të UÇK-së, duke theksuar se ata e bënë historinë e Kosovës, ndërsa Serbia shkaktoi mijëra viktima, të vrarë e të plagosur dhe 1 milionë banorë të shpërngulur.
“Me atë aktakuzë të pabesueshme nuk u godit Thaçi e Veseli si individë, për Kosova e mbarë shqiptaria. Presidenti Thaçi dhe ish-kryeparlamentari Veseli janë nismëtarë në krijimin e bërthamës së rezistencës së armatosur ndaj Milloshevicit, themelues të UÇK-së, por u dyshuakan për një varg krimesh që sfidojnë edhe kufijtë më të largët të imagjinatës; vrasje, përndjekje. Ata vendosën jetën e tyre në pikëpyetje për Kosovën e pavaruar” – tha zoti Rama.
Kryeministri Rama tha se Kosova ishte viktima e agresionit serb, dhe vuajti një histori padrejtësie historike në zemër të Europës.
Ai tha se këtë radhë nuk është fjala për të dalë ndokush para drejtësisë, por për të njollosur rezistencën e popullit të Kosovës dhe për të mbuluar me harresë krimet e agresorit serb.
“Ata të dy dhe shokët e tyre zgjuan ndërgjegjen e fjetur të Europës dhe botës për padrejtësitë serbe në Kosovë. Kjo nuk është goditje vetëm ndaj dy emrave të përveçëm, as mbi UÇK-në, por teksti i mbrëmshëm krijoi perceptimin e tmerrshëm të një vendi në mes të Europës, ku falë krimeve ndaj njerëzimit, është instaluar një regjim kriminal” – tha zoti Rama.
Më herët reaguan në Tiranë edhe autoritete shtetërore dhe politikanë kryesorë. Presidenti Ilir Meta tha se “besonte te pafajësia e tyre”.
Zoti Meta tha se “edhe më parë janë ngritur akuza ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së, por pafajësia e tyre dhe drejtësia e luftës është konfirmuar, gjë që besonte se mund të ndodhë përsëri”.
Ndërsa kryetari i Partisë Demokratike të opozitës, Lulzim Basha tha se Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli do t’i dëshmojnë sërish botës drejtësinë e kauzës së lirisë, e cila nuk mund të përdhoset”.