Sveçla: Serbi i arrestuar sot është pjesë e strukturës kriminale “Mbrojtja Civile”

EULEX: Mandati ynë është i garantuar me ligjet e Kosovës dhe ato ndërkombëtare
Një ditë pasi u bë publik një qëndrim i Presidencës ku thuhej se mandati i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) ka përfunduar, ky mision ka thënë se mandati i tyre është i garantuar me ligjet vendore dhe ndërkombëtare.
Në një përgjigje për Euronews Albania, EULEX thekson se qëndrimi dhe funksionimi i tyre në Kosovë është i garantuar.
“Lidhur me pyetjet tuaj për mandatin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), ju lutem vini re që prezenca dhe operimi i EULEX-it vazhdon të jetë i garantuar sipas ligjeve të Kosovës dhe atyre ndërkombëtare, përfshirë vendimet e Këshillit Evropian”, thuhet në përgjigje.
EULEX shpreh gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin me Qeverinë e Kosovës, duke rikujtuar se Kosova, përmes Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, ka marrë obligime për të bashkëpunuar me Bashkimin Evropian në forcimin e institucioneve të sundimit të ligjit.
“Ne duam të vazhdojmë të punojmë me Qeverinë e Kosovës për të çuar përpara agjendën tonë të përbashkët për forcimin e institucioneve të Kosovës për sundimin e ligjit. Kosova ka marrë obligime me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, specifikisht Nenin 5 dhe Nenin 13, që të punojë së bashku me Bashkimin Evropian, përfshirë EULEX-in, në forcimin e institucioneve të saja për sundimin e ligjit. Ne kemi pasur partneritet të fortë që nga viti 2008 dhe mbështetja dhe asistenca jonë për institucionet e Kosovës për sundimin e ligjit vazhdon”, thekson EULEX.
Ndërkohë, ky mision ka mohuar të ketë arrestuar apo dërguar në Hagë, Adem Zogjanin, familja e të cilit pretendon se EULEX e ka marrë atë dhe dërguar në Holandë.
“EULEX nuk ka arrestuar personin të cilit ju i referoheni në e-mail. Ky informacion nuk është i vërtetë. EULEX nuk ka njohuri për vendndodhjen e këtij individi. Ju lutem kontaktoni autoritetet kosovare”, përgjigjet misioni i BE për Sundim të Ligjit në Kosovë.
Zyra e Thaçit: EULEX-i nuk ka më mandat për të qëndruar në Kosovë
Një ditë më herët, Zyra e Presidentit Thaçi kishte konfirmuar se Misionit të EULEX-it i ka skaduar mandati më 14 qershor.

Presidenca e Kosovës nuk ka parë asnjë arsye që të vazhdohet mandati aktual i EULEX-it, si një mision i madh, veçanërisht pasi institucionet e Kosovës kanë kompetenca të plota dhe janë̈ plotësisht kompetente të kryejnë̈ çdo detyrë.
“Institucionet e Kosovës që një̈ kohë të gjatë janë̈ në gjendje t’i marrin mbi vete të gjitha kompetencat që i ka mbajtur EULEX-i. Prandaj edhe ka qenë kërkesë e autoriteteve kosovare që mandati i EULEX-it dhe prezenca e BE-së të reduktohet në fushën e sundimit të ligjit dhe të jetë e njëjtë si në vendet tjera të rajonit”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Megjithatë, përkundër që presidenti Thaçi dhe BE-ja nuk kanë pasur letërkëmbim dhe negociata për vazhdimin e mandatit të EULEX-it, Zyra e Presidentit konfirmon që është bërë presion që t’i vazhdohet mandati ekzistues.
“Ka pasur presion të madh, me javë të tëra, që të vazhdohet mandati ekzistues i EULEX-it. Por, presidenti Thaçi e ka bërë të ditur në çdo takim se mandati i EULEX-it ishte vazhduar në vitin 2018 dhe kjo ka qenë hera e fundit që është zgjatur mandati i këtij misioni. Presidenti Thaçi në takimet me përfaqësuesit e BE-së dhe të EULEX-it është shprehur mirënjohës për ndihmën e vazhdueshme në fuqizimin e sundimit të ligjit në Kosovë dhe e vlerëson si të suksesshëm misionin e EULEX-it. Por, tani është koha që të gjitha kompetencat e EULEX-it të kalojnë te institucionet vendore. Kosova më nuk ka nevojë për EULEX-in, por do të pranojë çdo përkrahje në forcimin e rendit dhe ligjit nga ana e BE-së, sikur që është rasti në vendet e rajonit. EULEX-i tanimë nuk ka mandat për të qëndruar në Kosovë”, thuhet në fund të përgjigjes së Zyrës së Presidentit.