Sveçla: Serbi i arrestuar sot është pjesë e strukturës kriminale “Mbrojtja Civile”

Hoti: Aktpadia ndryshoi agjendën, por dialogu vazhdon
Kosova mbetet e përkushtuar në vazhdimin e procesit të dialogut, pavarësisht zhvillimeve të fundit që ndërlidhen me publikimin e aktpadisë ndaj presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, ka deklaruar sot në Prishtinë, kryeministri Avdullah Hoti. Këto komente, ai i bëri në Prishtinë, pas kthimit nga Brukseli, ku kishte zhvilluar takime me zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian.
Ai tha se takimi i thirrur nga ambasadori amerikan Richard Grenell për 27 qershor, i anuluar për shkak ta aktpadisë, do të mbahet në një afat tjetër.
Hoti tha se delegacioni i Kosovës do të marrë pjesë në Samitin e Parisit, i planifikuar nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti frances Emmanuel Macron.
“Zhvillimet politike që kanë ndodhur e kanë ndërruar pak agjendën tonë politike”, tha Hoti, por sipas tij, qëndrimi i Qeverisë së Kosovës është që dialogu nuk ka alternativë.
Hoti tha se Qeveria e Kosovës do të jetë e angazuar në dialog me palën serbe në përpjekje të arritjes së një marrëveshjeje. Hoti tha se nuk mund ta parashikojë nëse në delegacionin e Kosovës do të jetë edhe presidenti Hashim Thaçi, duke përsëritur se Kosovën në këtë proces e kryeson kryeministri dhe qeveria.
Po ashtu, Hoti tha se ka një koordinim mes SHBA-së e BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, duke potencuar se SHBA po angazhohet për marrëveshje që rrisin mirëqenien ekonomike, në mënyrë që më pas të vazhdohet me temat tjera në kuadër të Samitit të Parisit me zyrtarët e BE-së, në veçanti me Macron dhe Merkel.
BE: Mirëkuptim për liberalizimin e vizave
Kryeministri Hoti është ndalur edhe në çështjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Ai tha se në BE ka një mirëkuptim për liberalizimin e vizave për Kosovën. Ai tha se Kosova në anën tjetër duhet të përshpejtojë me hapat e saj që e presin për plotësimin e agjendës evropiane.
“Tani do të punojmë veç e veç me secilin shtet anëtar të BE-së në lidhje me liberalizimin evizave”, theksoi Hoti. Sipas tij, janë edhe dy-tri vende që kanë hezitime, por u angazhua që do të diskutojë edhe më përfaqësuesit e atyre shteteve.
Një çështje tjetër e diskutuar në Bruksel, sipas tij, është edhe ajo e pandemisë së koronavirusit. Hoti tha se Kosova duhet të bëhet gati për një vale të re të goditjes nga ky virus, duke e luftuar atë me zbatimin e protokollit të BE-së dhe institucioneve relevante shëndetësore.
Ndër tjera, Hoti tha se me zyrtarët në Bruksel ka biseduar edhe për zhvillimin ekonomik dhe përmbushjen e agjendës evropiane.