Është lodra më e njohur në botë, por shpikësja e saj nuk ka fituar asnjë

Rama takon të gjithë “në heshtje” në Prishtinë
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka takuar gati se të gjithë liderët politikë në Prishtinë, por ka heshtur, duke mos pranuar të flasë për mediat. Ai ka sqaruar se në Kosovë ka ardhur për të mësuar më shumë pas aktakuzës në Speciale, ndaj kryetarit të vendit, Hashim Thaçi dhe kreut të PDK-së, Kadri Veseli.
“Në Prishtinë për të dëgjuar dhe mësuar më shumë pas fletë-rrufesë speciale, që do të hyjë si njollë turpi e shekullit XXI në historinë botërore të drejtësisë, e cila praktikën e akuzës publike pa aktakuzë juridike e ka njohur veç në epokat e sundimeve ideologjike a pata tyre!”, ka shkruar Rama në “Twitter”.
Rama i shoqëruar në këtë takim është me ministrin në detyrë për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Gent Cakaj.
Fillimisht Rama ka takuar kryetarin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ndërkohë gjatë ditës ai do të takohet edhe me kryetaren e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministrin Avdullah Hoti, kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli si dhe presidentin, Hashim Thaçi. Të martën, Rama do të takojë edhe Isa Mustafën, Ramush Haradinajn e Behxhet Pacollin. Kurse në fund të vizitës, ai do të mbajë edhe një konferencë për media.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka potencuar se Kosova dhe Shqipëria i kanë të gjitha mundësitë që ta thellojnë bashkëpunimin edhe më tej. Ai tha se Qeveria e Kosovës e konsideron natyrshëm Shqipërinë si partnerin më të afërt dhe strategjik në procesin e realizimit të synimeve integruese euroatlantike.
Ndërkaq, duke folur për gjendjen e re të krijuar në vend, kryeministri Hoti ritheksoi se Republika e Kosovës tashmë ka një kulturë të dëshmuar institucionale për t’i përballuar me dinjitet sfidat e tilla, që natyrisht nuk janë të lehta.
Po ashtu, kryeministri Hoti ritheksoi se, pavarësisht rrethanave dhe vështirësive që mund të dalin gjatë procesit, Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar që ta zhvillojë agjendën e saj të integrimeve euroatlantike.
“Ne jemi të vendosur ta vazhdojmë procesin e dialogut me Serbinë, me qëllim të arrijmë një marrëveshje të përhershme paqeje e stabiliteti, e cila do të rezultojë me njohjen e ndërsjellë në mes dy vendeve”, theksoi kryeministri Hoti.
Ndërsa, kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, ofroi mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare për institucionet dhe popullin e Kosovës.
“Shqipëria i ka qëndruar dhe do t’i qëndrojë gjithmonë pranë Kosovës”, tha Kryeministri Rama, duke theksuar se edhe në të ardhmen, Shqipëria do ta ndihmojë Kosovën në të gjitha proceset.
Në fund të këtij takimi, kryeministri Rama e ftoi kryeministrin Hoti për një vizitë zyrtare në Shqipëri, e cila pritet të realizohet këtë të premte, më 3 korrik 2020.