
Grenell mirëpret letrën e eurodeputetëve për liberalizimin e vizave për Kosovën
I dërguari i posaçëm i presidentit Donald Trump, për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell ka reaguar pasi 32 anëtarët e Parlamentit të Bashkimit Evropian kanë nënshkruar një letër drejtuar kancelares gjermane Angela Merkel dhe ministrit të Brendshëm, Horst Seehofer.
Ditë më parë, eurodeputetja Viola von Cramon, raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian, së bashku me një grup të euro parlamentarëve i kanë drejtuar një letër kancelares gjermane, Angela Merkel, dhe ministrit të Brendshëm gjerman, Horst Seehofer, përmes së cilës kanë kërkuar që procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës të përmbyllet përgjatë pjesës së dytë të vitit 2020. Kjo pasi që me presidencën e Bashkimit Evropian kryeson Gjermania, dhe kjo shihet si një mundësi e artë që Kosova të marrë liberalizimin e vizave.
Lidhur me këtë, Grenell ka thënë se ky është një lajm i mirëpritur, edhe nëse bëhet fjalë vetëm për disa industri të synuara të biznesit.
“Më në fund. Ky është një lajm i mirëpritur edhe nëse është vetëm për disa industri të synuara të biznesit”, ka shkruar Grenell në Twitter.
Sipas tij, përqendrimi i SHBA-së në normalizimin ekonomik ka motivuar veprime nga evropianët.
“Dhe ne jemi të lumtur t’i shohim ata duke udhëhequr”, ka shkruar më tej Grenell.