
Vdes një 63 vjeçar nga Gjilani me Covid-19
Në Klinikën Infektive sot ka vdekur edhe një person me Covid-19.Një 63 vjecar nga Gjilani është viktima e 52 nga koronavirusi në Kosovë.Këtë lajm e ka bërë të ditur Komuna e Gjilanit përmes një komunikate.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri e ka konfirmuar rastin e vdekjes së qytetarit të katërt nga kjo sëmundje infektive dhe i ka shprehur ngushëllime familjes duke e garantuar se gjithmonë do të jenë pranë tyre. Komuna e Gjilanit në ditën e 111 të ballafaqimin me pandeminë globale Covid-19, sot ka marrë lajmin e hidhur nga Klinika Infektive në Prishtinë dhe gjithashtu edhe nga familja, se ka ndërruar jetë Isuf Murati, i lindur në vitin 1957, me vendbanim në Gjilan.
“Fatkeqësisht në përballjen me pandeminë globale Covid-19, sot nga jeta është ndarë edhe qytetari i Gjilanit, i katërti në këtë pandemi, Isuf Murati. Nga njoftimi që kemi marrë prej Qendrës Klinike Infektive në Prishtinë, sot ishte një lajm i vështirë për të gjithë ne. Ngushëllojmë familjen dhe garantojmë se do të jemi pranë tyre në këto ditë të vështira, sepse nuk e kanë të lehtë ballafaqimin me këtë ndarje nga më i dashuri i tyre. Ceremonia e varrimit do të organizohet nga Komuna e Gjilanit në kushte pandemie”, ka thënë kryetari Haziri, në adresimin e tij për publikun/kp/