
30 vjet nga Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut
Sot mbushen 30 vjet që kur delegatët Kuvendit të atëhershëm të Kosovës, miratuan Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut.
Më 2 korrik 1990, Kosova ishte shpallur njësi e veçantë, në kuadër të Federatës së atëhershme jugosllave.
Kryeministri Avdullah Hoti priti sot një grup delegatësh, të cilët më 2 korrik 1990, në rrethana të jashtëzakonshme, miratuan Deklaratën Kushtetuese, e cila shënoi hapin e parë institucional në procesin e gjatë për pavarësinë e Kosovës.
Me këtë rast, kryeministri Hoti tha se kjo deklaratë qe moment kthese në historinë më të re të Kosovës, sepse ishte akti i parë i artikulimit të qartë të vizionit dhe të vullnetit politik të qytetarëve dhe të institucioneve të Kosovës për liri, demokraci dhe pavarësi.
Presidenti Hashim Thaçi ka thënë se Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut 1990 është moment i paharrueshëm politik dhe historik, që na bashkoi në rrugën e pavarësisë.

Kurse kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka vlerësuar se Deklarata e 2 korrikut, shënon njërën ndër ngjarjet më të rëndësishme të shtetësisë së Kosovës që i hapi rrugë shkëputjes së Kosovës nga regjimi serb dhe realizimin e synimeve të popullit të Kosovës për shtet të pavarur.
“Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut 1999, është gur-themel i shtetësisë dhe pavarësisë së Kosovës, andaj duhet ta kujtojmë përherë si faqe të ndritur për shtetin tonë”, ka thënë Mustafa.
Ndërkaq kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, ka thënë se kjo deklaratë i kishte hapur rrugën Kosovës për të qenë e barabartë me entitetet e tjera, përkundër se zbatimi i saj nuk ishte lejuar nga pushteti i Milloshevqit.
Haradinaj ka thënë se deklaratën e asaj legjislature deputetësh e kishte jetësuar Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Deklarata e 2 Korrikut 1990 ishte akti që do të shënojë hapin historik institucional të pavarësimit të Kosovës, i cili u zhvillua jashtë objektit të Parlamentit, në kushte të rrethimit nga forca të mëdha policore e ushtarake.Deklaratën Kushtetuese mbi Kosovën si njësi të pavarur dhe të barabartë në kuadër të federatës apo konfederatës jugosllave, e shpallën në Prishtinë 111 delegatët shqiptarë të Kuvendit të Kosovës.Deklarata shënon edhe pikënisjen për pavarësimin e Kosovës nga Serbia, duke synuar që të trajtohet si e barabartë me republikat e atëhershme në federatën jugosllave.