Monday, June 27, 2022

Linçohen politikanë e publicistë – thirrje organeve të drejtësisë ta trajtojnë rastin

Dikur zëvendësministër i Kosovës, Gani Koci, nga PDK të premten i ka quajtur “gropa septike serbe që duhet mbyllur me beton” disa persona publikë në Kosovë.

Ne fotografinë që ai ka vënë shihen kreu i LVV-së, Albin Kurti, kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, publicisti Veton Surroi, ish- këshilltari i Kurtit, Shkëlzen Gashi, deputetet e LVV-së, Fatmire Kollçaku, Arbërie Nagavci e Fitore Pacolli, akademiku Jusuf Buxhovi, ish-deputetja Drita Millaku, ish- zëvendëskryeministri Haki Abazi, aktivisti Rron Gjinovci, drejtoresha e BIRN Kosova, Jeta Xharra, dhe ish-deputeti Ilir Deda, raporton KOHA.

Megjithëkëtë, pas raportimeve statusi i tij është fshirë nga Facebooku, por ai përsëri ka shkruar, duke përsëritur se qëndron pas statusit të mëhershëm.

Nga kabineti i kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani, u kanë bërë thirrje organeve të drejtësisë që ta hetojnë rastin.

“Kërcënimi, gjuha linçuese dhe tendenca denigruese e individëve nuk do ta ndalin angazhimin e kryetares Vjosa Osmani. Ajo do të vazhdoj të jetë zë i fuqishëm i qytetarëve, të cilët e duan një Kosovë, ku mendimi ndryshe është vlerë. Tendencat denigruese nuk do ta ndalin! Ftoj organet e rendit që të merren me këtë kërcënim direkt ndaj kryetares Osmani dhe personaliteteve të tjera, në mënyrë që ta sigurojnë një ambient ku njerëzit ndihen të lirshëm të shprehen dhe të veprojnë”, ka thënë për KOHËN Bekim Kupina, këshilltar për media i kryetares së Kuvendit.

Edhe në PDK përmes një përgjigjeje me shkrim kanë thënë se gjuha e tillë është e papranueshme, por nuk e kanë përmendur fare Kocin.

“Është shumë e rëndësishme dhe e nevojshme që në këto rrethana të tregohet maturi, të mos fyhet, denigrohet e etiketohet askush për shkak të pikëpamjeve të tij politike. Kosova është një vend demokratik e pluralist, ku mendimi ndryshe dhe liria e shprehjes, jo vetëm që nuk pengohen, por kultivohen si vlerë e demokracisë. Situata aktuale kërkon nga secili solidaritet, unitet e bashkëpunim. Andaj, çfarëdo gjuhe përçarëse dhe konfliktuoze është e papranueshme”, tha zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyqi.

KOHA ka provuar t’i kontaktojë pjesën me të madhe të të përmendurve, megjithatë ata nuk kanë dashur të deklarohen.

Avokati Kushtrim Palushi konsideron se përdorimi i një gjuhe linçuese e që nxit urrejtje nuk po trajtohet seriozisht nga organet e drejtësisë.

Gani Koci ishte përfolur vite me parë si emër i mundshëm për ministër të drejtësisë në qeverinë LDK-PDK, por që nuk ishte pranuar nga kryeministri i atëhershëm, Isa Mustafa.

- Advertisment -

Lexoni