Al Pacino dhe Dan Stevens do të luajnë në filmin ekzorcist të bazuar në një
Rastet me Covid në Kuvend – Rrezikohet rishikimi i buxhetit dhe pakoja emergjente
Paraqitja e rasteve të para me COVID-19 në Kuvendin e Kosovës, ka vënë në dyshim mbajtjen e seancës për rishikimin e buxhetit dhe ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, ligje këto shumë të rëndësishme në kuadër të menaxhimit të pandemisë së koronavirusit. Pakoja emergjente e paraparë, nuk do të mund të zbatohet pa rishikimin e buxhetit të këtij viti.
Mbajtja e seancave është sfidur që kur në Kuvend janë paraqitur rastet e para me Covid-19.
Por, kryeministri Avdullah Hoti, u ka bërë thirrje grupeve parlamentare dhe deputetëve që të gjendet një formë për mbajtjen e seancës së Kuvendit për ta miratuar rishikimin e buxhetit.
Hoti ka thënë se e di që disa deputetë dhe një pjesë e stafit të Kuvendit janë të prekur nga koronavirusi, por ka shtuar se është nevojë urgjente të gjendet një formë për mbajtjen e një seancë për ta kaluar buxhetin.
Nga Shiroka e Suharekës, ku ka marrë pjesë në fillimin e fushatës së korrje-shirjeve, Hoti ka premtuar dyfishim të subvencioneve për bujqit.
Por, ka shtuar se kjo nuk mund të bëhet pa miratimin e buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvend.
Në rrethanat e tilla, kur Covid-19 ka prekur deputetë dhe zyrtarë të Kuvendit, seancat do të mund të mbaheshin edhe online, por për një gjë të tillë duhet mbështetja e 2/3 të Kuvendit.
Rregullorja aktuale e Kuvendit të Kosovës nuk e parasheh mbajtjen e seancave online. Për ndryshimin e kësaj Rregulloreje nevojiten 2/3 e votave në Kuvend. Rrjedhimisht, nevojitet vullnet politik dhe kohë për të kaluar proceduralisht një çështje të tillë.