
Macron fton Hotin në Paris para takimit me Vuçiqin
Me përkrahjen e Bashkimit Evropian, Franca dhe Gjermania janë duke provuar të marrin në dorë rifillimin e negociatave mes Kosovës dhe Serbisë, pas dështimit të takimit në Uashington, nën ndërmjetësimin e administratës amerikane. Beteja politike BE- SHBA se kush do t’i projë procesit, ishte mjaftë evidente kohët e fundit.
Në funksion të procesit të dialogut, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti do të udhëtojë për në Paris, ku nesër, më 7 korrik, do të takohet me Presidentin e Francës, Emmanuel Macron.

“Pritja zyrtare që bëhet enkas për kryeministrin e Republikës së Kosovës në Pallatin Elize (Palais de l’Elysée) në Paris, Pallati presidencial i Francës, tregon kujdesin dhe përkushtimin e Presidentit Macron ndaj Kosovës dhe të ardhmes së saj euroatlantike”, thuhet në komunikatë Zyrës së kryeministrit Hoti.
Më 12 korrik, pritet që të mbahet takimi Kosovë – Serbi, përkatësisht Avdullah Hoti me Aleksandar Vuçiq, pasi që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tashmë po përballet me mundësinë e ngritjes së aktakuzës për krime lufte nga Gjykata Speciale me seli në Hagë.