
Vetëvendosje: Vendimet e komunave veriore tregojnë se Qeveria Hoti varet nga Lista Serbe
Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje ka reaguar pas vendimit të komunave veriore, të cilat pa e pyetur fare qeverinë e Kosovës, vendosën masa karantinimi dhe ndalese të lirisë së lëvizjes, në kuadër të luftimit të përhapjes së koronavirusit.
Në reagimin e zyrtarit të Vetëvendosjes, Arlind Manxhuka rikujtohet se zëvendëskryeministri Goran Rakiq, i cili do të duhej të mos përfaqësonte edhe më tutje komunën e Mitrovicës Veriore, pasi që ai tashmë ka dhënë dorëheqje për shkak të postit ministror, ka marrë vendime autonome, pa e pyetur shefin e tij në Prishtinë, kryeministrin Avdullah Hoti.
“Deshta me shkru që vartesi i Avdullah Hotit ka marrë vendim vet për komunat e veriut, por kuptova që ka shume gabime logjike në atë formulim. Sepse:
1. Qeveria Koti varet nga Beogradi
2. Hoti është në të vërtetë vartës i Rakiqit.
3. Qeveria është vartëse e Listes serbe”, ka shkruar Arlind Manxhuka, zëdhënës i Vetëvendosjes.
“Do të ishte komike kjo qeveri, po të mos ishte kaq tragjike, çka po i shkakton vendit. Imagjinoni se ç’kancer i kanë futur Republikës ky Klub i Stervjetruar Politik:
1. Në dialog kanë futur shumicën e dyfishtë (Nuk ka ndryshime të rëndësishme pa pajtim të palës serbe)
2. Në dialog kanë krijuar një palë serbe që përfaqeson Beogradin, jo komunitetin serb në Kosovë.
3. Në vend janë larguar nga legjitimiteti popullor çka i ka bërë edhe më të varur nga kjo Listë serbe, bash për secilën votë”, ka shkruar tutje ai.
“Të kurthuar në këto rrethana, Rakiqi merr vendim si zv.kryeminister i qeverisë së Kosovës kundër Kosovës e Avdullahi shkon për njohje reciproke, siç thotë ai. I pari praktikisht merr vendime, i dyti flet për aspirata”, shkruan zyrtari i LVV-së.