Samiti i parë Hoti – Vuçiq nuk jep shumë shpresa për përparim në dialog
Kosova dhe Serbia kanë zhvilluar sot një Samit Virtual të ndërmjetësuar nga Franca dhe Gjermania. Takimi online mes kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është nga presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, e ku kanë marrë pjesë edhe Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Punët e Jashtme, Josep Borell dhe i dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Mirosllav Lajçak.
Në fjalën e tij, kryeministri Hoti ka prezantuar tri parimet kryesore, në të cilat thuhet se integriteti territorial i Kosovës është i pacenueshëm dhe s’mund të jetë pjesë e negociatave, rendi kushtetues i Kosovës nuk mund të preket dhe se marrëveshja finale me Serbinë duhet të jetë në përputhje të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Në anën tjetër, edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se shteti i tij është i gatshëm të flasë rreth hapave për përmirësimin e marrëdhënieve, por jo edhe për ultimatume.
“Pala shqiptare ka dalë me kërkesa që janë: ruajtja e integritetit territorial dhe kushtetues të Kosovës, njohja e qëndrueshme të ndërsjellë dhe jo modelin e dy Gjermanive, anëtarësimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe që shtetet tjera ta pranojnë Kosovën, e pastaj do të merren me çështjet e të zhdukurve dhe dëmet e luftës. Unë kam thënë se e gjitha kjo është e pakuptimtë, se jam i gatshëm të flasim dhe të bëjmë hapa të vegjël”, ka thënë presidenti i Serbise.
Samiti i sotëm mbahet pak ditë para vazhdimit zyrtar të dialogut në Bruksel.
Rikujtojmë që ky dialog, ishte ndërprerë në fund të vitit 2018.
BE-ja po përpiqet t’i përafrojë Kosovën dhe Serbinë që të arrijnë një marrëveshje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve.
Nga presidenca franceze është thënë se se ky është një samit franko-gjerman dhe i BE-së. BE-ja në këtë samit do të përfaqësohet nga përfaqësuesi i lartë, Josep Borrell.
Përgatitja e terrenit për t’u rikthyer në tryezën e negociatave në funksion të arritjes së një marrëveshjeje, ka nisur nga Parisi. Kryeministri Hoti është pritur të martën nga Macroni. Pas tij, në Paris ka shkuar edhe Vuçiqi.
Ndërkaq më 12 korrik Hoti do të udhëtojë drejt Brukselit për të marrë pjesë në takimin me kryetarin e Serbisë, takim ky që do të ndërmjetësohet nga Borrelli dhe nga emisari për dialogun Miroslav Lajçak.
Zyrtarë të BE-së kanë thënë se do të tentohet arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të obligueshme mes Kosovës dhe Serbisë.