
Ahmeti: Gjendja e jashtëzakonshme nuk nënkupton vetëm masa të mbylljes
Kryetari i Komunës së Prishtinës, ka kohë që po përpiqet që me komentet e tij në Facebook të jap këshilla apo edhe mospajtime me masat që Qeveria aktuale e Kosovës po ndërmerr në kuadër të menaxhimit të pandemisë së Covid-19. Së fundmi, Ahmeti ka shkruar në Facebook se gjendja e jashtëzakonshme, për të cilën po flet kryeministri Avdullah Hoti, nuk nënkupton automatikisht masa të mbylljes.
“Gjendja e jashtëzakonshme – është diskutuar nga qeveria dhe do të diskutohet nesër nga institucionet që e kanë kompetencën për ta kërkuar nga Kuvendi. Gjendja e jashtëzakonshme është instrument për të marrë vendime më shpejtë. Kjo nuk nënkupton automatikisht masa të mbylljes etj”, ka shkruar ai.
“Ende nuk kemi parë propozimet e masave për të vlerësuar se a janë të mira apo jo. Përderisa krejt komunat janë të brengosura për numrin e rritur të të prekurve, megjithatë nuk është paramenduar e as kërkuar mbyllja e plotë”, ka theksuar Ahmeti.
Sipas tij ka ende shumë gjëra që mund të bëhen për ta zbutur pandeminë e që nuk janë katastrofale për ekonominë.
“Testet – ende po presim lejet e importit të testeve serologjike për Komunën e Prishtinës. Kjo do të na mundësonte që brenda një periudhe të shkurtër 2 javore të kuptojmë se sa njerëz kanë ndërtuar imunitet dhe më shumë informata demografike dhe shëndetësore në lidhje me virusin”, ka shkruar Ahmeti.
