Dorëheqja me kusht e Thaçit
Presidenti Hashim Thaçi, ua ka bërë me dije disa prej liderëve të partive politike, se ai do të dorëhiqej nga pozita e presidentit, sikur LDK, PDK, AAK, Nisma dhe AKR të merreshin vesh për figurën e ardhshme politike që do ta pasonte atë në pozitën e shefit të shtetit.
Dorëheqja e Thaçit, pritet të jetë një veprim dhe akt moral, pas publikimit të propozim-aktakuzës ndaj tij, nga Prokuroria Speciale me seli në Hagë.
Ndërkaq, nëse kjo aktakuzë vërtetohet nga Gjykata Speciale, atëherë Thaçi do të ishte i shtrënguar të dorëhiqej.
Andaj, në një situatë të tilë, siç merret vesh, Thaçi u ka kërkuar liderëve të partive politike, duke përjashtuar Vetëvendosjen dhe krahun politik të afërt me Vjosa Osmanin, që së bashku të merren vesh për një figurë konsensuale që do ta pasonte atë, pasi që të jap dorëheqje.
Thaçi, sipas këtyre burimeve, në asnjë formë nuk e preferon që Vjosa Osmani të merr pozitën e ushtrueses së detyrës së postit të presidentit. Në bazë të Kushtetutës, në rast të mbetjes vakant të pozitës së presidentit, kryetari apo kryetarja e Kuvendit, në këtë rast Vjosa Osmani, do të duhej të ishte ajo që e merr ushtrimin e funksioneve, deri në zgjedhjen e presidentit të ri.
Mandati i Thaçit skadon në pranverën e vitit 2021. Por, deri atëherë, ai mund të jetë i detyruar të dorëhiqet, pasi që qysh të hënën, do të udhëtojë për në Hagë, ku pritet të intervistohet nga Prokuroria Speciale nën dyshimet për krime lufte. Aktakuza e njëjtë e pretenduar, bie edhe mbi kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli. Por, ky i dyti, ka vetëm funksion deputeti dhe kryetari të partisë, kështu që parësore shihet reagimi i presidentit.
Siç merreth vesh, Thaçi u ka kërkuar qartë Ramush Haradinajt, Isa Mustafës, Kadri Veselit, Behgjet Pacollit dhe Fatmir Limajt që të ulen dhe të merren vesh se kënd do ta mbështesin për pozitën e presidentit, duke eliminuar mundësinë që Vetëvendosje dhe Vjosa Osmani të vijnë në shprehje për çfarëdo opsioni.
Madje, të njëjtat burime thonë se Thaçi, do të dorëhiqet qysh të dielën, një ditë para se të udhëtojë për në Hagë, nëse partitë politike të cilat i ka kontaktuar, do të merreshin vesh për pasuesin e tij.
Pas publikimit të aktakuzës së pretenduar, Thaçi pritet që të hënën të udhëtojë për në Hagë për t’u intervistuar.