Liverpooli mendon për pasuesin e Salah, alternativë edhe ish-in e Ajaxit
Hoti e Thaçi mund të varen nga votat e Vetëvendosjes për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme
Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme për menaxhimin e pandemisë së koronavirusit, ishte kërkesë e kahershme e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Ai pati kërkuar gjendje të jashtëzakonshme, qysh kur Kosova kishte vetëm 19 raste pozitive më Covid-19.
Në rrethanat aktuale, kur disa deputetë, kryesisht nga LDK dhe AAK, të dy partitë në pushtet janë të infektuar me Covid-19 dhe nuk mund të marrin pjesë në seancën e Kuvendit ku do të votohej për gjendjen e jashtëzakonshme, Hoti dhe Thaçi mund të varen nga vota e Lëvijes Vetëvendosje, e cila ka 31 deputetë.
Por, Vetëvendosje, që nga rrëzimi i Qeverisë Kurti e ka bërë të qartë se Qeverinë Hoti e sheh si jolegjitime dhe nuk ia mbështetë nismat e as vendimet që i merr. Njësoj, pritet të vendosë edhe në lidhje me gjendjen e jashtëzakonshme.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, presidenti i vendit vendos për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, në konsultim me kryeministrin, kur ka nevojë për masa emergjente të mbrojtjes; ka rrezik të brendshëm ndaj rendit kushtetues ose sigurisë publike, ka fatkeqësi natyrore, e cila prek tërë territorin e Republikës së Kosovës ose një pjesë të tij.
Kufizimet mbi të drejtat dhe liritë e garantuara me këtë Kushtetutë, bëhen vetëm deri në shkallën e nevojshme, për sa më pak kohë që të jetë e nevojshme dhe në përputhje të plotë me këtë Kushtetutë.
Me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, presidenti i Republikës së Kosovës shpallë menjëherë dekretin, i cili përcakton natyrën e kërcënimit dhe çfarëdo kufizimi për të drejtat dhe liritë. Në këtë rast, Kuvendi i Kosovës brenda 48 orë, mund të japë pëlqimin me dy të tretat (2/3) e votave të deputetëve të pranishëm dhe që votojnë.
Nëse nuk jepet pëlqimi ng Kuvendi, dekreti i presidentit nuk ka forcë as efekt. Në një rast tjetër, nëse ka rrezik ndaj rendit kushtetues dhe sigurisë publike në Republikën e Kosovës, ose ekziston një fatkeqësi natyrore në tërë territorin e Republikës së Kosovës ose një pjesë të tij, Kuvendi dyzet e tetë orësh, mund të japë pëlqimin e tij me shumicën e votave të të gjithë deputetëve dhe që votojnë. Nëse nuk jepet pëlqimi, dekreti i presidentit nuk ka forcë as efekt.
Gjendja e jashtëzakonshme zgjat për aq kohë sa vazhdon të kërcënojë rreziku dhe nuk mund të zgjatë më shumë se për një periudhë prej gjashtëdhjetë ditësh.
Me pëlqimin e shumicës së deputetëve të Kuvendit të pranishëm dhe që votojnë, gjendja e jashtëzakonshme, nëse është e nevojshme, mund të zgjatet për periudha pasuese prej tridhjetë ditësh, por jo më shumë se për nëntëdhjetë ditë shtesë gjithsej.
Ndërkohë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi të cilit me Kushtetutë i takon që të shpallë gjendje të jashtëzakonshme është ftuar për intervistim nga Prokuroria Speciale në Hagë.