Hoti udhëton me klas ekonomik për në Bruksel – lavdërohet nga shefi i EULEX-it
Shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark ka lavdëruar kryeministrin Avdullah Hoti për faktin se ai ka udhëtuar për në Bruksel me klasin ekonomike dhe jo atë të biznesit. Dallimi në çmime mes klasit ekonomik dhe biznes gjatë fluturimeve me aeroplan është mjaftë i lartë.
“Heqim kapelat për kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, i cili sot udhëtoi me ne në klasin ekonomik në aeroplanin Prishtinë – Vjenë dhe më pas në aeroplanin nga Vjena në Bruksel”.
“Sa kryeministra të tjerë të Ballkanit Perëndimor do t’i kursenin të hollat e taksapaguesve në këtë mënyrë?”, ka shkruar Wigemark, në Twitter.
Hoti ka udhëtuar për në Bruksel, ku nesër pritet të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në kuadër të vazhdimit të dialogut Kosovë – Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.