Liberalizimi i vizave në fazën finale, më 18 prill votohet në Parlamentin Evropian

Hoti u përgjigjet Thaçit dhe PDK-së: Për një muaj hoqëm nga diskutimi temën e integritetit territorial
Kryeministri Avdullah Hoti u është kundërpërgjigjur akuzave që kanë adresuar drejt tij, Zyra e Presidentit, Hashim Thaçi dhe Partia Demokratike e Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, Hoti ka shkruar se askush nuk duhet të trazohet nga normaliteti që, sipas tij, po ndërtohet .
“Për një muaj, ne e rikthyem Kosovën aty ku e ka vendin, përkrah miqve tanë ndërkombëtarë. Nga një raport i lënduar me BE dhe SHBA, tani kemi mbështetje nga të gjithë për cakun e dialogut, që është njohja reciproke dhe normalizimi i marrëdhënieve”, ka shkruar Hoti.
“Për një muaj, ne hoqëm nga çdo diskutim temën e integritetit territorial të Kosovës, të cilën më nuk e përmend kush”, ka vijuar ai.
“Me vendosmëri e guxim, ne e evituam rrugën qorre dhe qasjen izoluese dhe morëm përgjegjësitë shtetërore në dialog. Këtë e bëmë pa hezitim pasi udhëhiqemi nga parimi i ruajtjes së integritetit territorial dhe unitaritetit të shtetit, si dhe nga respektimi i plotë i kushtetutshmërisë”, ka shkruar Hoti.
Sipas tij, kjo është qasja e qeverisë që ai drejton në dialogun me Serbinë, e cila siç tha ai, është legjitime dhe e vetme.
“Koha e politikës izoluese dhe e frikës për t’u përballur është tashmë pas nesh. Parimet e qarta dhe sinqeriteti ynë përballë partnerëve ndërkombëtarë po na mundësojnë ecjen tonë krah tyre dhe po na sigurojnë garancinë për proces dialogues në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj”, ka theksuar Hoti.
Ai ka parashikuar edhe marrëveshjen me Serbinë.
“Kjo do të jetë një marrëveshje që Kosovës i jep atë që i takon, të qenurit e barabartë dhe e integruar në familjen e madhe euroatlantike. Për këtë ka nevojë populli i Kosovës”, ka thënë Hoti.
Reagimi i Hotit pasoi deklaratat nga Zyra e Presidentit se Hoti kishte nxituar me shkuarjen e tij në Bruksel, pasi që sipas presidentit, BE-ja nuk është adresa e dialogut, por SHBA=ja. Ndërkohë, PDK e kishte kontestuar Hotin për mungesë të mandatit e kompetencës për dialog në kohën kur Thaçi po intervistohej në Hagë.