Publikimi i njoftimit të Zyrës së Prokurorit të Specializuar lidhur me aktakuzën ndaj presidentit Hashim Thaçi e kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, bëri që të anulohet takimi mes Kosovës dhe Serbisë në Washington.

-Advertisement-

Por, e njëjta gjë nuk ndodhi me atë në Bruksel javën e kaluar, i cili zyrtarisht shënoi rifillimin e dialogut të ndërprerë në fund të 2018-s.

Derisa presidenti Hashim Thaçi ishte duke u intervistuar në Hagë, në Bruksel vazhduan bisedimet mes kryeministrit Avdullah Hoti e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, raporton KOHA.

Sipas drejtoreshës së platformës CiviKos, Donika Eminit, dallimi i bërë mes dy proceseve e mungesa e unitetit, kanë paraqitur pozitën e dobët që ka Kosova në procesin e dialogut.

Rreth një muaj pas, ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, ka bërë të ditur se shkaku i anulimit të takimit kanë dështuar disa projekte ekonomike.

Në anën tjetër, dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, politikania serbe Rada Trajkoviq e ka ndërlidhur me zhvillimet e fundit në Bujanoc.

Trajkoviq, për “FoNet”, ka thënë se formimi i një qeverie lokale vetëm prej shqiptarëve në Bujanoc me përzierje direkte nga Tirana është dëshmi se dialogun në fakt po e udhëheqin Aleksandar Vuçiq e Edi Rama.

Rifillimin e dialogut me Serbinë pa presidentin Hashim Thaçi e kanë kritikuar edhe partia opozitare PDK si dhe Zyra e Presidentit.

Kreu i shtetit, Hashim Thaçi, të shtunën, në adresimin e parë pas kthimit nga Haga, ka ritheksuar nevojën e unitetit ndërinstitucional, në veçanti kur flitet për dialogun me Serbinë.