Saturday, January 22, 2022

BE i kërkon Kosovës unitet – Asociacioni kthehet në dialog

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në takimin e parë fizik në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq, në kuadër të rinisjes së dialogut për normalizim raportesh, kanë diskutuar për personat e zhdukur e të zhvendosurit dhe për probleme që ndërlidhen me çështje ekonomike.

Një gatishmëri e Avdullah Hotit për të diskutuar tema të tilla në Bruksel është kritikuar nga zyra e presidentit dhe nga PDK’ja e Kadri Veselit. Sipas tyre, rrëshqitja në dialog teknik i shkon në favor vetëm Serbisë.

Megjithatë ky duket se do të jetë vetëm fillimi i diskutimit të temave të tilla të cilat janë në kuadër të marrëveshjeve të arritura mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e BE-së e të cilat s’kanë gjetur zbatim asnjëherë. Një gjë të tillë e kanë konfirmuar për Gazetën Express nga Brukseli.

Në vazhdimin e këtyre takimeve në kryeqytetin e dialogut do të diskutohet edhe për çështjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, marrëveshje kjo të cilën BE dhe shtetet anëtare kërkojnë që Kosova ta implementojë.

Kërkesa për implementimin e marrëveshjeve të nënshkruara në kuadër të dialogut të Brukselit vlen edhe për Serbinë.

“Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare presin që palët të implementojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në të kaluarën. Çështjet e pazgjidhura e marrëveshjeve të kaluara do të adresohen paralelisht në negociatat e ardhshme për marrëveshjen gjithëpërfshirëse”, ka thënë për Gazetën Express një zëdhënëse e Bashkimit Evropian.

Nga BE gjithashtu kanë pasur edhe një mesazh për kundërshtarët e dialogut të nisur në Bruksel, duke rikujtuar thirrjen që ka bërë emisari special, Mirsolav Lajçak, gjatë vizitës në Prishtinë, për të lënë anash interesat partiake dhe për të qenë unik rreth dialogut me Serbinë.

“Kur e ka vizituar Kosovën dhe përgjatë takimeve, Përfaqësuesi Special i BE’së ka kërkuar nga të gjithë bashkëpunëtorët që të vendosin dialogun mbi interesat politike partiake dhe që të jenë unik rreth dialogut”, ka potencuar tutje ky zëdhënës i BE’së.

Nga Bashkimi Evropian thonë se rruga evropiane e Kosovës dhe Serbisë kalonin përmes dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe thonë se do të punojnë me të dy palët drejt marrëveshje për normalizim të raporteve dhe për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të mbetura pezull.

“BE si ndërmjetësuese e dialogut do të punoj me palët drejt një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, duke adresuar të gjitha çështjet e pazgjidhura. Rruga drejt BE’së për të dy palët kalon përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE’ja”, përfundon përgjigja.

Lidhur me kritikat rreth takimit të Brukselit, ka folur edhe vetë kryeministri, Avdullah Hoti, i cili ka thënë se temat për të cilat ka diskutuar s’kanë të bëjnë me dialog teknik.

“Nuk ka dialog teknik.Ka dialog vetëm për marrëveshje finale për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve në mes të dy vendeve”, ka shkruar Hoti.

Për temat e diskutuara në kuadër të takimit të 16 korrikut në BE, grupe teknike nga dy vendet do të mblidhen gjatë kësaj jave në Bruksel për të folur më gjerësisht rreth tyre.

Në prag të fillimit të këtyre takimeve të nivelit etknik, kryeministri Hoti sot ka caktuar, Skënder Hysenin, si koordinator për dialogun e Brukselit.

Ndërkohë takimet e nivelit të lartë në mes të Kosovës dhe Serbisë, siç ka konfirmuar Josep Borell, do të vazhdojnë në muajin shtator me tema të tejra..

Borell ka thënë se ky është vetëm fillimi i punës më Kosovën dhe Serbinë.

Kujtojmë se më 10 maj 2012, Kuvendi i Republikës kishte votuar për katër rekomandimet mbi personat e zhdukur duke kërkuar që Qeveria e Kosovës të kushtëzojë bisedimet e mëtejshme me Serbinë përmes zbardhjes së fatit të personave të zhdukur.

Gjithashtu më 4 dhjetor të vitit 2012 ishte arritur pajtim që Kosova dhe Serbia të këmbejnë oficerët ndërlidhës për identifikimin dhe sigurimin e mënyrave për qarkullimin transparent të parave që shkon në mbështetje të komunitetit serb në Kosovë, krijimin e njësisë speciale të policisë multietnike brenda Policisë së Kosovës që do të ketë përsipër mbrojtjen e trashëgimisë fetare dhe kulturore; si dhe vazhdimi i punës në energji dhe telekom në nivel të ekspertëve. Në këto konkluzione ishte kërkuar edhe intensifikimi i bashkëpunimi të komisioneve përkatëse lidhur me personat e zhdukur.

Pavarësisht gjithë këtyre marrëveshjeve të arritura, edhe pas 21 vjetësh ende nuk dihet asgjë për fatin e mbi 1 mijë e 640 personave të pagjetur të zhdukur në luftën e fundit.

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, pas takimit me Avdullah Hotin, kishte thënë se pala kosovare duhet të tregojë lokacionet se ku mendojnë se mund të ketë trupa të personave të zhdukur dhe se Serbia bashkë me BE’në do të kërkojë në ato lokacione. Ai gjithashtu ka thënë se Serbia kërkon që Kosova të hapë arkivat e UÇK’së./GazetaExpress/

- Advertisment -

Lexoni