
COVID në Kosovë: 2.669 raste aktive, 303 të shtrirë në spitale dhe 261 në pritje të rezultateve
Nga 5.877 raste pozitive sa kanë rezultuar që nga 13 marsi, në Kosovë raste aktive me COVID-19 janë edhe 2.669. Ky numër është nxjerrë si rezultat i testimit të 31.541 personave të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2.
Me vdekje kanë përfunduar 139 raste, të cilët, sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.
Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 3.069 raste.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm në Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, Valbon Krasniqi, tha se në QKUK dhe në spitalet regjionale janë duke u trajtuar 564 pacientë.

Ai ka theksuar se prej tyre 303 janë të konfirmuar me koronavirus, ndërsa të tjerët janë në pritje të rezultateve.
“Në spitalet tona rajonale dhe në QKUK momentalisht janë duke u trajtuar 564 pacientë të hospitalizuar, prej tyre 303 janë të konfirmuar me koronavirus, ndërsa të tjerët në pritje të rezultateve” .
“Nga këta pacientë 38 prej tyre janë në gjendje të rënduar shëndetësore, ku janë të kyçur në respiratorë, 14 janë të intubuar, ndërsa 24 janë me metodat tjera joinvazive të kyçur në respiratorë”, ka thënë drejtori Krasniqi.
IKSHPK apelon qytetarët, bizneset dhe gastronominë, që në mënyrë strikte të respektojnë distancën fizike, përdorimin e maskave, dezinfektimin dhe ajrosjen e lokaleve, duke pamundësuar përhapjen eventuale të infeksionit dhe shmangien e përhapjes në hapësirat e mbyllura.