Hoti nuk arrinë t’i mbledh liderët në takimin për dialogun
Kryeminsitri, Avdullah Hoti, nuk ka arritur të mbledh në një tavolinë diskutimi të gjithë liderët e partive politike që të diskutojnë për dialogun me Serbinë. Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës, nuk i janë përgjigjur ftesës së tij. Kurse partitë tjera, nuk janë përfaqësuar me nivel të liderëve, por të përfaqësuesve dhe i kërkuan Hotit të ketë kujdes sepse mund t’i rrëshqasë dialogu nga politik në atë teknik, në mënyrë që Serbia të blej kohë të re në procesin e saj integrues në BE, përderisa Kosovës kjo do t’i kushtonte me vonesa të reja në rrumbullakimin e subjektivitetit të saj ndërkombëtar.
Po ashtu, Hotit i është kërkuar përgjigje në lidhje me caktimin e koordinatorit për dialog, i cili zakonisht është post që merret me punë teknike dhe jo politike. Skender Hyseni dhe Valon Murtezaj janë dy emra që janë përfolur për pozitën e koordinatorit për dialog më Serbinë.
Takimi gjysmak mes Hotit dhe liderëve të partive politike të Kosovës ka përfunduar.
Kryeministri Hoti, ka ritheksuar se i tërë procesi i dialogut do të jetë plotësisht transparent, ndërsa Kuvendi i Kosovës, Forumi i partive politike dhe opinioni i gjerë në vend do të njoftohet hollësisht për secilin takim.
Pas takimit përfaqësuesi i Nismës, Bilall Sherifi, ka qenë i vetmi që është deklaruar.
Ai tha se si partner i koalicionit nuk e dinë se kush do ta drejtojë ekipin e Kosovës në takimin e Brukselit që pritet të mbahet të enjten. Sipas tij kryeministri duhet të sqarojë se cilat do të jenë kompetencat e koordinatorit shtetëror, pasi mund të ketë rrezik që procesi të kthehet në teknik. Sherifi ka thënë se sa i përket koordinatorit, kreu i Qeverisë duhet të sqarojë fillimisht këtë me koalicionin, opozitën, e të jetë transparent ndaj qytetarëve.
Vetëm katër parti i janë përgjigjur pozitivisht kryeministrit Avdullah Hoti për “Forumin e liderëve”.
AAK-ja ka dërguar në takim Ahmet Isufin dhe ministrin e drejtësisë, Selim Selimi. Prej LDK-së është nënkryetari, Agim Veliu. Bilal Sherifi ishte nga Nisma. Vetëvendosje dhe PDK-ja e kanë refuzuar forumin. Takimi po mbahet me qëllim të informimit të partive rreth Samitit të Parisit, përkatësisht rifillimit të dialogut.