“Jeta është e bukur por ka momente gri..”/Wanda Nara po përballet ende me probleme shëndetësore!

OKB parasheh largimin e 615 mijë shqiptarëve – Reagon Ilir Meta
Organizata e Kombeve të Bashkuara në statistikat e saj për Divizionin e Popullsisë vlerëson se që nga viti 1990 deri në 2020-n, nga Shqipëria janë larguar rreth 1.2 milionë persona. Bëhet fjalë për migracionin neto, që përfshin diferencën mes personave që kthehen dhe atyre që largohen.
Vala më e lartë e migracionit ishte në periudhën 1990-1995, kur kalimi nga ekonomia e centralizuar në atë të tregut dhe hapja e kufijve, bëri që shumë shqiptarë të largoheshin masivisht, përmes ambasadave, apo dhe anijeve. Gjatë kësaj periudhe kanë ikur 443 mijë emigrantë.
Në periudhën 2005-2010 u konstatua sërish një valë e rritur migracioni, me 217 mijë të larguar.
Divizioni i popullsisë së OKB-së ka bërë dhe parashikimet për migracionin e pritshëm në dekadat e ardhshme. Sipas statistikave të publikuara, të paktën edhe për pesë vitet e ardhshme 2020-2025, ikja do të vijojë të jetë me ritme të larta, me rreth 70 mijë persona të larguar neto.
Në 2025-2030, priten 55 mijë të larguar, për të vazhduar më pak në 5 vjeçarët në vijim me 40 mijë të ikur mesatarisht.
Si rrjedhojë, deri në vitin 2100, OKB parashikon se nga Shqipëria do të largohen edhe 615 mijë persona të tjerë.
Tendenca e lartë për emigracion dhe ulja e lindshmërisë kanë bërë që OKB të rishikojë vazhdimisht në ulje projeksionet për ecurinë e popullsisë. Sipas vlerësimit të fundit, që është bërë në vitin 2019, në të gjitha rastet, edhe në variantin optimist, – pra nëse merret një nivel zero emigracioni dhe ecuri normale e normave të fertilitetit-, në vitin 2100, Shqipëria nuk pritet që të ketë me shumë se 1.9 milionë banorë.
Në variantin e mesëm, Shqipëria nuk pritet të ketë më shumë se 1 milionë banorë.
Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta reagoi këtij raporti të OKB-sëduke kërkuar ndërmarrjen e masave që mundësojnë mbajtjen e popullatës në Shqipëri dhe parandalimin e ikjeve.
Reagimi i Metës: Ndalimi i ritmeve dramatike të shpopullimit të Shqipërisë është sfida më e madhe që kërkon urgjentisht reflektim dhe zgjidhje konkrete.
Koha për të ndalur projektin antikombëtar të zhbërjes së Shqipërisë është tani! Plotësimi pa vonesë i 15 kushteve është harta e vetme e rrugës së Shqipërisë europiane! Të bashkohemi kundër shpopullimit dhe kthimit të shpresës! Shqipëri pa shqiptarë nuk mund të ketë.

