Liberalizimi i vizave në fazën finale, më 18 prill votohet në Parlamentin Evropian

AAK dhe Nisma e kërkojnë përfshirjen e PDK-së në Qeverinë e Kosovës
Ende pa i mbushur 100 ditë të qeverisjes, kryeministrit Avdullah Hoti dhe Qeverisë që ai drejton po i vijnë kërcënime, përfshi edhe nga partitë në koalicion, për humbje të besimit. Përfshirja e PDK-së në qeverinë Hoti, tashmë është kërkesë zyrtare që i është parashtruar përmes AAK-së dhe Nismës edhe kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa.
Qeveria aktuale, po shihet e pafuqishme të përballet qoftë me dialogun me Serbinë apo me dhënien e mbështetjes së nevojshme për ish-krerët e UÇK-së që mund të përballen me aktakuzat e para nga Gjykata Speciale.
Por, kërkesa që PDK të përfshihet në Qeveri, mund ta prish krejt matematikën e qeverisë aktuale, pasi që në atë rast mund të lëkundet pozita e kryeministrit dhe pozita prijëse e LDK-së në Qeveri.

Kjo kërkesë, mund të përfundojë qoftë me riformatimin e qeverisë aktuale duke e përfshi aty edhe PDK-në, pastaj me formimin e një qeverie të re apo edhe me zgjedhje të reja.
E gjitha filloi me kritika të ashpra nga Kabineti i Presidentit, u pasua më një kërcënim serioz nga Ramush Haradinaj se do t’ia shkëputë mbështetjen dhe vazhdoi me kërkesën e Fatmir Limajt që Qeveria ka nevojë për PDK-në. Këto, duken paralajmërime serioze se Qeveria e LDK-së e kryeministrit Avdullah Hoti, mund të goditet shumë shpejt qoftë nga kërkesa për riformatim apo për një qeveri të re, me PDK-në në krye.
RepublikaPost merr vesh se publikimi i propozim-aktakuzës në Gahë ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli ka mobilizuar deri diku liderët që janë në krye të partive të dala nga ish-UÇK-ja, si PDK, AAK dhe Nisma, për një përafrim në mënyrë që t’u dalin në mbështetje krerëve të UÇK-së, ndaj të cilëve Gjykata Speciale mund të ngris aktakuzat e para, nisur nga fundi i gushtit e tutje.
Hyrja e Qeverisë Hoti në dialog me Serbinë vetëm nën ombrellën e Bashkimit Evropian, mund të jetë indikacioni i parë që Hoti ta humb mbështetjen e Thaçit, Haradinajt e Limajt.
“Unë e ftoj PDK-në në koalicion”, ka thënë së fundit Fatmir Limaj.
“A jemi duke e parë se në çfarë gjendje është vendi jonë. NISMA jo vetëm që është e gatshme, por është duke punuar në këtë drejtim. Kam takuar zotin Veseli kam takuar edhe zotin Mustafa, e mira këtu është që po ruhet tradita shtetërore” ka theksuar Limaj.

Ditë më parë, ish-kryeminsitri, Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së i cili është në koalicion me LDK-në dhe Hotin, ka paralajmëruar prishjen e koalicionit qeverisës për shkak se është i pakënaqur nga kryeministri aktual i Kosovës.
“Nëse vazhdon kështu kryeministri Hoti, unë nuk e mbështes në qeveri”, është shprehur Haradinaj duke shtuar: “Ja kam thënë zyrtarisht. I kam dërguar edhe shkresë ku i kemi bërë vërejtjet.
Kritikat ndaj Hotit, nisën nga Kabineti i Thaçit, ditën kur Hoti shkoi në Bruksel për ta takuar Vuçiqin, kurse Thaçi duhej të paraqitej për intervistim në Hagë, para Prokurorisë Speciale.
Nga Zyra e Thaçit, kryeministri Hoti është kritukuar ashpër që udhëtoi atje dhe nuk e bojkotoi këtë takim në kohën kur presidenti i vendit po intervistohej në Hagë.
Avdullah Hoti, sipas këshilltarit të Thaçit, Adil Brahimaj, nuk mund ta përfaqësojë as LDK-në, e lëre më Kosovën.
“Si i vetëm nuk e përfaqëson dot as fshatin e tij!”, kishte shkruar ai.
Kurse të premtën, pas takimit Thaçi – Hoti, presidenti i vendit i tha Hotit se dialogu me BE-në, pa SHBA-në, nuk do të sjell asnjë rezultat.
Kurse partia e cila po parashihet të jetë pjesë e qeverisë në të ardhmen, PDK-ja, përmes nënkryetarit të Kuvendit, Memli Krasniqit dhe deputetit Enver Hoxhaj ia kanë bërë me dije Hotit se nuk e ka mbështetjen e PDK-së për dialogun, përderisa nuk udhëhiqet nga SHBA-ja.
Në të gjitha formulat, Lëvizja Vetëvendosje mbetet jashtë qeverisë, ngase partitë tjera kanë konsensus që me Vetëvendosjen të mos ketë koalicion.
LEXO EDHE KËTË: