Pse Selena Gomez thotë se e shmang dhomën e gjumit në ditët e rënduara psikologjikisht

Shtetet ku ende zbatohet dënimi me vdekje
Shumë shtete e kanë ende në fuqi dënimin me vdekje, si formën më të rëndë të shqiptimit të dënimit nga një gjykatë gjatë ndarjes së drejtësisë. Përgjatë historisë, njihen disa forma të dënimit me vdekje, siç janë: varja, pushkatimi, vrasja me injeksion, karriga elektrike, dhomat e gazit e tjera.
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, 32 shtete vazhdojnë ta zbatojnë dënimin me vdekje. Ndërsa në 18 shtete të SHBA-së, dënimi me vdekje është i paligjshëm.
Vendet me numrin më të madh të ekzekutimeve janë: Kina, Irani, Arabia, Saudite, Iraku dhe SHBA-ja, ndërkaq në Evropë është Bjellorusia.

Rasti më i rëndë i dënimit me vdekje është në Bangladesh, ku një gjykatë dënoi 16 vetë me vdekje për vrasjen e një vajze, e cila e akuzoi mësuesin e saj për ngacmim seksual. Nusrat Jahan Rafi, 19 vjeçe, vdiq në prill në Feni, qytet rreth 160 kilometra larg kryeqytetit Daka, Asaj iu bë presion të tërheqë akuzat dhe pasi refuzoi u dogj nga një grup burrash.
Amnesty International ka publikuar një raport në lidhje me dënimet me vdekje, ku del se gjatë vitit 2019, Arabia Saudite ka ekzekutuar 184 persona – që është shifër rekord për këtë vend – pavarësisht rënies së numrit të ekzekutimeve në gjithë botën.
Në raportin e kësaj organizate thuhet se ekzekutimet në Irak janë dyfishuar vitin e kaluar në njëqind, ndërsa Irani mbetet ekzekutuesi i dytë më i madh pas Kinës, me 251 raste.
Ekzekutimet e konfirmuara globale kanë rënë për të katërtin vit radhazi, përkatësisht në 657 ose 5 për qind më pak se në vitin 2018.
“Dënimi me vdekje është një ndëshkim i neveritshëm dhe çnjerëzor dhe nuk ka asnjë provë të besueshme se e ndalon krimin më shumë sesa burgimi”, thotë Clare Algar, drejtore e hulumtimeve pranë organizatës Amnesty International.
Raporti nuk e përfshin Kinën, ku numri i ekzekutimeve – që besohet të jetë mijëra – është sekret shtetëror.
Raporti po ashtu thekson se edhe vendet e tjera, si Irani, Koreja e Veriut dhe Vietnami, fshehin numrin e saktë të ekzekutimeve, duke kufizuar qasjen në informacion.
Në vendet e Bashkimit Evropian ekziston një harmonizim i ligjeve, që nënkupton se vendet anëtare duhet të kenë kritere e standarde afërsisht të njëjta. BE-ja është pa mëdyshje kundër dënimit me vdekje gjithnjë dhe pa përjashtim.
Dënimi i njerëzve me vdekje, sipas një deklarate të përbashkët të BE-së, është një “dënim mizor dhe çnjerëzor, i cili nuk arrin të veprojë si një parandalues dhe përfaqëson një mohim të papranueshëm të dinjitetit dhe integritetit njerëzor”.

Cesare Beccaria, një jurist dhe kriminolog i njohur italian thoshte se “dënimi me vdekje nuk mund të jetë i dobishëm për shkak të shembullit të barabaritetit që u jep njerëzve”. Ai kishte shtruar edhe pyetjen se “pse duhet të vrasim njerëz për të treguar se vrasja e njerëzve është e gabuar”– e cila vazhdon të trajtohet sot e kësaj dite në shumë debate rreth kësaj mase më të rëndë të dënimit.
Në Shqipëri dënimi me vdekje është i ndaluar me ligj prej 1 tetorit të vitit 2000.
Historia e dënimit me vdekje
Dënimi me vdekje daton që nga kohët e antikitetit. Mënyrat e ekzekutimit të të dënuarve kanë qenë të ndryshme, që nga qëllimi me gurë, varja me litar, gijotina, dhoma me gaz, karrigia elektrike, etj. Një ndër mënyrat e ekzekutimit me vdekje ishte edhe kryqëzimi, kjo lloj forme makabre përdorej që në antikitet, por u përdor shumë nga romakët.
Viktima kryqëzohej, dhe më pas vdiste nga hemorragjia, infarkti ose bllokimi i rrugëve të frymëmarrjes, pas një agonie që zgjaste më ditë. Kryqëzimi është bërë mjaft i njohur nga kryqëzimi i Jezu Krishtit. Një tjetër formë e njohur e ekzekutimit me vdekje ishte pushkatime.

Praktika e pushkatimit nisi në shekullin XVIII fillimisht në Shtetet e Bashkuara gjatë Luftës për Pavarësi (1775-1783). Dhe më pas u shpërnda në Evropë dhe Azi, sot përdoret ende në Kinë dhe Afganistan. Pushkatimi dhe varja me litar ishin edhe në format që përdornin regjimit totalitare për ekzekutimin e qytetarëve (këto dy forma janë përdorur edhe në Shqipëri gjatë regjimit komunist. Ndërsa karrigia elektrike nis të përdorej në shekullin XX, tani nuk përdoret më. Në shekullin XX u përdorën dhe dhomat me gaz që në fillim u përdorën në SHBA, për t’u përhapur më pas në Gjermaninë naziste gjatë Holokaustit. Ndër praktikat e fundit është injektimi vdekjeprurës.
Në trupin e njeriut injektohen substanca kimike që çojnë në bllokimin e aparatit frymëmarrës. Dënimi me vdekje është hequr zyrtarisht në 98 shtete, e fundit në radhë është Letonia, në vitin 2013. Shteti i parë që e hoqi dënimin me vdekje ishte Dukati i Toskanës (Itali) më 30 nëntor. Duka i madh i Toskanës e cilësoi dënimin me vdekje si “të përshtatshëm vetëm për popujt barbarë”.