Saturday, June 25, 2022

Falja në Hagia Sofia rritë tensionet Turqi – Greqi

Turqia dhe Greqia shkëmbyen kritika të ashpra të shtunën, një ditë pas mbajtjes së faljeve në Hagia Sofian e Stambollit, e shndërruar tashmë në xhami, faljet e para islame pas 9 dekadash në këtë objekt antik.

Presidenti Tayip Erdogan, i cili mori pjesë në ceremoninë e së premtes, nuk e përmendi Greqinë por tha se ata që kritikojnë shndërrimin e Hagia Sofias në xhami janë thjesht kundër myslimanëve dhe Turqisë.

Kritikat greke kanë qenë mjaft të ashpra dhe kanë nxjerrë më shumë në pah marrëdhëniet e tensionuara midis Greqisë dhe Turqisë.

Hagia Sofia më parë ishte muze dhe shumica e grekëve e shikojnë atë si objekt me rëndësi të madhe për fenë e tyre ortodokse. Të premten, në të gjithë Greqinë ushtuan kambanat e kishave në shenjë zie.

“Ne shohim që shënjestra e atyre vendeve që kanë bërë kaq shumë zhurmë ditët e fundit nuk është Hagia Sofia apo Mesdheu lindor,” tha zoti Erdogan në një fjalim televiziv. “(Shënjestra e tyre) është vetë ekzistenca e kombit turk dhe e myslimanëve në këtë rajon,” tha ai.

Në një deklaratë më herët të shtunën, zëdhënësi i ministrisë së Jashtme turke tha se “Greqia tregoi edhe njëherë armiqësinë e saj kundrejt Islamit dhe Turqisë, me justifikimin e reagimit ndaj faktit që xhamia Hagia Sofia po hapej për falje”.

Ai dënoi me forcë deklaratat anëtarëve të qeverisë dhe parlamentit grek si dhe djegien e flamurit turk në Selanik.

Ministria Greke e Jashtme u përgjigj me deklaratën e vet, duke thënë se “bashkësia ndërkombëtare e shekullit XXI shtanget kur dëgjon fjalimet fanatiko fetare dhe nacionaliste të Turqisë së sotme”.

Të premten, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis e quajti Turqinë një “ngatërrestare”, ndërsa shndërrimin e muzeut në xhami e cilësoi “fyerje për qytetërimin e shekullit 21″.

Greqia dhe Turqia kanë mosmarrëveshje për një sërë çështjesh, nga hapësira ajrore dhe zonat detare në Mesdheun lindor e deri te Qiproja e ndarë etnikisht.

LEXO EDHE KËTË:

- Advertisment -

Lexoni