
Kujtohet Enver Zymberi, polici i vrarë në aksionin në veri
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri Avdullah Hoti kanë marrë pjesë të dielen në ceremoninë përkujtimore për Enver Zymberin, zyrtarin e lartë policor që u vra nëntë vjet më parë.
Ata kanë thënë se Zymberi vdiq në mbrojtje të integritetit territorial të Kosoëvs.
“Sot bëjmë nderimin më të lartë shtetëror për heroin e kombit Enver Zymberi, i cili dha jetën në mbrojtje të integritetit territorial të Republikës së Kosovës. 25 korriku i vitit 2011 shënon ditën e bashkimit të Kosovës ku njësitë tona speciale bënë veprimin më të duhur të mundshëm, veprimin kushtetues dhe ligjor në mbrojtje të integritetit territorial të vendit për të vu në kontroll gjithë territorin e shtetit tonë, andaj sot të gjithë jemi të bashkuar për të kujtuar këtë veprim kushtetues e ligjor”, ka thënë Thaçi.

Edhe kryeministri Avdullah Hoti ka bërë homazhe tek lapidari i Zymberit.
“Sot bashkë me ministrat, me drejtorin e policisë dhe me oficerët bëmë nderime për zyrtarin e lartë policor, Enver Zymeri, që ra në krye të detyrës për të mbrojtur rendin kushtetues dhe integritetin territorial të vendit”, ka thënë ai.
Enver Zymberi, u vra me 26 korrik 2011 në Leposaviq, gjatë aksionit për të shtrirë kontrollin e Kosovës në pjesën veriore të vendit.