
Mustafa kërkon nga spektri politik ta përkrahin Hotin në dialog
Debati i fundit në Kuvendin e Kosovës në lidhje me dialogun me Serbinë, ka nxjerr në pah dallimet në qëndime që mbajnë LDK-ja me partitë tjera të koalicionit, si AAK dhe Nisma. Po ashtu, edhe opozita, përkatësisht Vetëvendosje dhe PDK, kishin qëndrime të kundërta më politikat e kryeministrit Avdullah Hoti.
Zhvillime të tilla, e kanë shtyrë kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa që t’u bëjë thirrje partive dhe institucioneve që ta mbështesin qeverinë dhe kryeministrin Hoti në dialogun me Serbinë.
Përmes një shkrimi në Facebookut, Mustafa ka bërë të ditur se sot e ka zhvilluar një telefonatë me Skender Hysenin, që është emëruar koordinator për dialogun.
“Shpreha përkrahjen time dhe të LDK-së për kursin se nuk ka asnjë marrëveshje të veçantë, jashtë marrëveshjes gjithëpërfshirëse që rezulton me njohje reciproke. Se dialogu është krejtësisht politik dhe rezulton me marrëveshje politike ndërshtetërore për njohje reciproke”, ka shkruar ai.
Mustafa po ashtu e ka përmendur takimin e Hysenit me Philip Reekerin, Asistent Sekretar Kryesor për Evropë dhe Euroazi në Departamentin Amerikan te Shtetit, takim ky që ka thënë se dëshmon përkushtimin dhe rolin aktiv të SHBA-së në procesin e dialogut.
“Në këtë proces duhet dhënë përkrahje të fuqishme Kryeministrit Hoti, Qeverisë, Presidentit si dhe të gjithë mekanizmave shtetërorë që e çojnë përpara këtë dialog politik. Përgjegjësia për dialogun bie mbi koalicionin qeverisës, ndërkaq pronësia e dialogut i takon shumicës kushtetuese parlamentare dhe asnjë subjekti veç e veç”, ka shkruar ai.
Kryeministri Hoti, është vënë në shënjestër të kritikave, përfshi edhe partitë në qeverinë e tij, pas takimit të fundit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, për shkak të, siç është thënë, hyrjes në dialog pa përgatitje, pa konsensus të gjerë dhe pa një platformë të qartë politike. Kurse vërejtje tjetër ishte edhe mungesa e insistimit nga ana e Hotit, që në dialog të jenë të përfshira edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.