Wednesday, June 29, 2022

Kina mbyll konsullatën amerikane në Chengdu

Kina thotë se ka marrë kontrollin e ish-konsullatës amerikane në qytetin në jug-perëndimor të vendit, në Chengdu. Ky zhvillim ishte një akt hakmarrjeje i Pekinit ndaj mbylljes javën e kaluar të konsullatës kineze në Hjuston të Teksasit. Ministria e Jashtme kineze njoftoi se konsullata i mbylli dyert në orën 10 të mëngjesit me orën lokale, orari që autoritetet kineze kishin vendosur për mbylljen e saj. Pak minuta më vonë një grup zyrtarësh kineze hynë në ndërtesë dhe morën kontrollin e saj.

Ambasada amerikane në Pekin në një mesazh lamtumire për konsullatën në Chengdu shoqëruar me pamje filmike shkruante: “do të na mungoni përgjithmonë”.

Përpara mbylljes autoritetet kineze forcuan praninë policore duke rrethuar konsullatën të dielën ndërsa stafi po përgatitej të largohej. Policia formoi rreshta të dy anët e rrugës dhe kishte vendosur pengesa metalike.

Kina akuzoi se disa punonjës të personelit të konsullatës amerikane në Chengdu kishin “kryer aktivitete jo në përputhje me identitetin e tyre”. Pa dhënë detaje zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme kineze, Wang Wenbin tha se veprime të tilla ishin një ndërhyrje në punët e Kinës dhe se kishin dëmtuar interesat e saj të sigurisë.

Urdhri i Kinës për të mbyllur konsullatën amerikane në Chengdu u dha të hënën në shenjë hakmarrjeje ndaj një urdhri të SHBA-së për të mbyllur konsullatën kineze në Hjuston të Teksasit.

Uashingtoni urdhëroi mbylljen e ambasadës kineze në Hjuston “për të mbrojtur pronën intelektuale dhe informacionin privat të amerikanëve”.

Mbyllja e konsullatës kineze në Hjuston hyri në fuqi të premten. Po atë ditë një grup personash që duket se ishin zyrtarë amerikanë u panë duke u futur në objekt përmes një dere të pasme. Zoti Wang tha të shtunën se kjo përbënte një shkelje të marrëveshjeve ndërkombëtare e bilaterale dhe se Kina do të përgjigjej, por pa dhënë detaje se si.

Veprimet hakmarrëse kanë rritur më tej tensionet mes dy vendeve duke nisur nga çështjet që lidhen me tregtinë dhe spiunazhin industrial, deri tek ato që lidhen me të drejtat e njeriut.

- Advertisment -

Lexoni