Balenat e spermës janë parë duke përdorur armën e tyre të fundit kundër orkave sulmuese:
Hoti: Rajoni i ndarë, por liderët kanë vullnet t’i heqin barrierat
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti mori pjesë në samitin virtual të partneritetit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, të organizuar nga Këshilli Atlantik, qendër e politikës së jashtme me seli në Uashington.
Pjesëmarrës në këtë samit ishin edhe liderët e tjerë nga Ballkani Perëndimor, përkatësisht nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Serbia.
Në këtë samit, në të cilin u diskutua për bashkëpunimin rajonal të Ballkanit Perëndimor, si dhe për projektet ekonomike të Ballkanit Perëndimor që do të financohen nga SHBA-të dhe BE-ja, pjesëmarrës ishin edhe zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Ne nuk kemi lidhje infrastrukturore midis kryeqyteteve tona dhe vendeve, rajoni është i ndarë. Por unë mund të them se ekziston një vullnet midis udhëheqësve në rajon që të punojnë së bashku për të hequr menjëherë barrierat dhe për t’u përfshirë në projekte të mëdha që do të lidhin kryeqytetet dhe vendet tona,” tha Hoti.
Ai tha se të njëjtat kushte që ekzistojnë midis dy vendeve që kanë një marrëveshje bilaterale duhet të jenë të mundshme për të gjithë të tjerët dhe se do të ndihmonte në heqjen e barrierave burokratike.
“Unë mendoj se kjo është mënyra e vetme që ne të plotësojmë njëra-tjetrën, sepse ekonomitë tona janë individualisht të vogla kur bëhet fjalë për tregjet. Nëse punojmë së bashku, ne mund të plotësojmë njëri-tjetrin”, tha Hoti.
Kryeministri Hoti, gjatë fjalimit të tij, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal për Ballkanin Perëndimor dhe zotimin e Republikës së Kosovës për intensifikimin e këtij bashkëpunimi si partner i barabartë me vendet e tjera të rajonit. Me këtë rast, ai potencoi rëndësinë e tregjeve unike në rajon, eliminimin e barrierave tregtare, funksionimin e lirive të lëvizjes dhe aspekte të tjera të bashkëpunimit rajonal.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, gjithashtu, theksoi se Kosova tashmë i ka dërguar në BE projektet rajonale të infrastrukturës dhe realizmi i tyre do të krijonte një zhvillim të qëndrueshëm për rajonin.