Thursday, July 7, 2022

Besimtarët myslimanë në Shqipëri festojnë Kurban Bajramin

Në Shqipëri besimtarët myslimanë po festojnë Kurban Bajramin duke respektuar masat ndaj COVID-19.

Kremtimi i kësaj feste kanë nisur që në orët e para të mëngjesit, kur besimtarët myslimanë iu drejtuan xhamive për të falur namazin.

Në Tiranë, besimtarët u mblodhën në Xhaminë e “Kokonozëve” për të kryer faljen e tyre duke respektuar masat antiCOVID.

Në faljen e Kurban Bajramit, kreu i KMSH-së, Bujar Spahiu tha se ky vit do të mbahet mend gjatë tek besimtarët për shkak të pandemisë që ndali dhe kryerjen e haxhit dhe mbledhjes mes njëri-tjetrit për të festuar.

Spahiu u shpreh se dashuria dhe shpirti i sakrificës mund të tregohet edhe në mënyra të tjera nga besimtarët myslimanë duke respektuar edhe masat e pandemisë.

“Sot gjendemi në ditën e begatë të Kurban Bajramit ku atmosfera shpirtërore ndodhet anë e mbanë. Qofshi të gëzuar me të afërmit e zemrës tuaj. Haxhi është pjesë e pandarë e besimtarëve myslimanë, ku është kulmi i përkushtimit fizik, por këtë vit për shkak të pandemisë mungesa e kësaj do të mbesë gjatë në mendjen e besimtarëve”, tha ai.

Spahiu u shpreh se “sot duhet t’i jemi Zotit mirënjohës që të gëzojnë dhe të tjerët me këtë festë duke shpërndarë kurban”.

Sipas fesë myslimane, riti i faljes së Bajramit të madh konsiston në dy momente; e para është lutja nëpërmjet të cilës shprehet adhurimi për Zotin dhe më pas vjen predikimi. Për këtë ditë të shënuar theret një dash apo një dele e rritur, e cila i dedikohet Zotit./atsh/

- Advertisment -

Lexoni