Ditari sekret i Enver Hoxhës: Projekti i panjohur për t’u hapur me Perëndimin që në
Urimet për Kurban Bajram me mesazhin festoni në shtëpi
Bashkësia Islame e Kosovës ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë për festën e Kurban Bajramit.
“Besimtarët në Kosovë sot festojnë pa faljen e namazit nëpër xhami për shkak të rrezikut të përhapjes së pandemisë Covid-19”, shkruhet në mësazhin e BIK-ut.
“Përfaqësues të institucioneve shtetërore e fetare, kanë bërë thirrje që si rezultat i situatës së krijuar me pandeminë Covid-19, kjo festë të kalojë pa vizita familjare e tradicionale”, thekson ky mesazh.
LIDERËT UROJNË QYTETARËT
Edhe liderët politikë kanë uruar të gjithë qytetarët e besimit islam për festën e Kurban Bajramit.
Edhe ata kanë përcjellë urimet me mesazhin për kujdes ndaj pandemisë COVID-19. Ata kanë ftuar qytetarët që sot të kryejnë vizita te të afërmit e tyre.
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, në urimin e tij të postuar sot në Facebook, ka thënë se të bashkuar mund të kalohet edhe kjo sfidë që po e përcjell vendin dhe botën.
“Një festë me shumë solidaritet, mirëkuptim e harmoni për njëri-tjetrin qoftë ky Kurban Bajram. E kemi kaluar gjithherë të bashkuar, por në këto ditë të vështira nëpër të cilin po kalon populli ynë dhe tërë bota për shkak të pandemisë, këtë herë duhet ta kalojmë duke e ruajtur distancën fizike dhe shëndetin e më të dashurve tanë. Urime të përzemërta të gjithë besimtarëve myslimanë”, ka shkruar Thaçi.
E kryeministri Avdullah Hoti ka uruar që festat e ardhshme të priten në një situatë normale.
“Me fat Kurban Bajrami. Uroj dhe lutem që të keni shëndet të mirë ju dhe familjet tuaja. Dua të besoj se festat e ardhshme do t’i presim në një situatë krejt normale, pa pandemi, me gëzime e me sfidat e zakonshme që ka jeta.
Sot festoni në shtëpitë tuaja dhe lutuni për familjarët, miqtë, vendin dhe mbarë njerëzimin. Duke qëndruar në shtëpi i ndihmojmë heronjtë e vijës së parë të frontit – stafin tonë shëndetësorë, të cilët po përballen me këtë pandemi për gjashtë muaj pa pushim. Edhe sot në këtë ditë feste, ata janë duke u kujdesur për qytetarët në nevojë. T’i respektojmë masat sot, që të festojmë përjetë e mot”, ka shkruar Hoti.
Kurse lideri opozitar, Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje ka shkruar se “çka shkon te Zoti nuk është mishi e gjaku i sakrificës, por qëllimi i mirë, drejtësia, adhurimi e dashuria”.
“Sivjet kjo festë na gjen të vënë në sprovë prej një pandemie të rëndë e të rrezikshme, e cila në vendin tonë po bëhet kërcënuese për të gjithë. Andaj besoj se është pjesë e mesazhit të kësaj feste kërkesa për sakrificë nga besimtarët, duke mos u grumbulluar në ambiente të mbyllura, gjithnjë me synimin për të mbrojtur të tjerët dhe ruajtur veten”, ka shkruar Kurti.
Besimtarët islamë i kanë uruar edhe liderët e partive si Isa Mustafa i LDK-së e Ramush Haradinaj i AAK-së, po ashtu me lutjen për kujdes të shtuar dhe respektim të masave kundër pandemisë.
Me vendim të Bashkësisë Islame të Kosovës, Kurban Bajrami nuk është falur sot nëpër xhami.