Friday, January 28, 2022

Trump pritet të ndalojë përdorimin e TikTok-ut në SHBA

Presidenti Donald Trump njoftoi se ka në plan të ndalojë operimin e TikTok-ut në SHBA. Zoti Trump tha të premten se ai mund të ndërmarrë këtë vendim ndoshta ditën e shtunë duke ndaluar funksionimin në vend të aplikacionit popullor të medias sociale.

Sa i përket TikTok-ut, do ta ndalojmë atë në Shtetet e Bashkuara“, u tha presidenti gazetarëve që po udhëtonin me të nga Florida në drejtim të Uashingtonit, të premten. Ai tha se ka të ngjarë që të përdorë një urdhër ekzekutiv për ta ndaluar aplikacionin. Presidenti Trump nuk mbështet një marrëveshje që do të lejonte një kompani amerikane që të blinte operacionet në SHBA të TikTok-ut. Aplikacioni është jashtëzakonisht popullor si në SHBA ashtu edhe në të gjithë botën. Ai është shkarkuar tashmë 2 miliardë herë në të gjithë botën, nga të cilat 165 milionë janë shkarkime që janë kryer në SHBA.

Aplikacioni përmban jo vetëm video argëtuese, por përdoret gjithashtu për debate dhe qëndrime për çështje politike, të tilla si drejtësia racore dhe zgjedhjet e ardhshme presidenciale në SHBA.

Zyrtarët amerikanë janë të shqetësuar se TikTok-u mund të përbëjë një kërcënim për sigurinë, nxitur nga shqetësimet se kompania mund të ndajë të dhënat e përdoruesve të saj me qeverinë kineze. Kompania mëmë e TikTok-ut “ByteDance”, e ka hedhur poshtë një gjë të tillë dhe ka pohuar se i ruan të dhënat e përdoruesve amerikanë në SHBA e Singapor. Kohët e fundit TikTok-u zgjodhi ish drejtuesin ekzekutiv të kompanisë “Disney”, Kevin Mayer, në detyrën e shefit ekzekutiv, një veprim që u pa si një përpjekje për t’u distancuar nga Pekini.

Në fillim të kësaj jave sekretari i Thesarit Steve Mnuchin tha se Komisioni Qeveritar për Investime të Huaja në Shtetet e Bashkuara, një grup ndërinstitucional i udhëhequr nga Departamenti i Thesarit, do të shqyrtonte çështjen e TikTok-ut. Detyra e komisionit është të mbikëqyrë investimet e huaja dhe të bëjë një vlerësim mbi rreziqet e mundshme që ato paraqesin për sigurinë kombëtare. Komisioni mund t’i detyrojë kompanitë të anulojnë marrëveshjet ose të ndërmarrin masa të tjera që konsiderohen të nevojshme.

- Advertisment -

Lexoni