
Vranë babanë pas vitesh abuzimi fizik dhe seksual: Tre motrat mund të burgosen
Trupi i Mikhail Khachaturyan u gjet në disa shkallë në një bllok apartamentesh në Moskë, në korrik të 2018-ës, me dhjetëra plagë me thikë në gjoks dhe në qafë.
Sipas hetuesve dhe avokatëve të motrave, pak orë përpara vdekjes së tij, ai ishte kthyer nga një klinikë psikiatrike, kishte rreshtuar tre vajzat e tij për t’i ndëshkuar për apartmentin e rrëmujshëm, duke spërkatur fytyrat e tyre me pluhur speci djegës, sipas hetuesve dhe avokatëve të motrave. Vajzës së tij të madhe Krestinës, e cila është astmatike, i kishte rënë të fikët.
Kjo ishte nata që Krestina, 19 vjeç, Angelina, 18 vjeç dhe Maria, 17 vjeç vendosën të vrisnin babanë e tyre. Ato e sulmuan atë me një çekiç, një thikë dhe të njëjtën kanaçe me pluhur djegës që ai u kishte hedhur më herët.
Transkriptet e marrjes në pyetje, të publikuara për shtypin dhe të verifikuara për CNN nga një avokat, tregojnë se vajzat u përpoqen të shkaktonin plagë mbi veten e tyre, për ta bërë të duket sikur babai, i cili po flinte gjatë sulmit, i kishte goditur me thikë i pari. Më pas, ato thërritën policinë dhe ambulancën.

Të nesërmen, të treja u arrestuan dhe rrëfyen për vrasjen, duke thënë se kishin duruar me vite abuzime seksuale, fizike dhe emocionale nga babai i tyre. Verën e kaluar motrat u paditën nën akuzën e vrasjes me paramendim, duke shkaktuar një zemërim të aktivistëve në Rusi, të cilët po luftojnë me një problem të gjerë, siç është abuzimi në familje.
Pas një hetimi të gjatë, gjykimi i motrave nis të premten në një sallë gjyqi në Moskë. Prokuroria kërkoi që motrat të mos lejohet të marrin pjesë në ngjarje publike, të zgjatet më shumë në kohë ndalimi i hyrjes së tyre në internet dhe bisedimet në media dhe me njëra-tjetrën për gjashtë muaj. Aktualisht ka patur disa demonstrata të planifikuara në mbështetje të tyre. Çështja risolli përsëri në vëmendje grupet e të drejtave që luftojnë për miratimin e një ligji për të mbrojtur viktimat e abuzimit në familje.
Dy motrat e mëdhaja, Krestina dhe Angelina, do të jenë në gjyq bashkë, ndërsa Maria, e cila ishte e mitur në kohën e vrasjes, por bëri 18 gjatë paditjes, është vlerësuar mendërisht e paaftë të kryejë një vrasje dhe do të jetë në një gjyq tjetër me akuzë vrasjeje, sipas një prej avokatëve të motrave, Aleksey Lispter.

Ekspertët e dhunës në familje, së bashku me grupin e njerëzve që mbrojnë motrat, thonë se në mungesë të mekanizmave të duhur mbrojtës dhe legjislacioneve të duhura, zgjidhja e tyre e vetme ishte të mbronin veten ose rrjedhimisht të vdisnin në duart e babait të tyre.
Në bisedat me tekst, të marra nga telefoni i babait të tyre dhe të publikuara në Facebook nga Lipster, Mikhail Khachaturyan duket se i kishte kërcënuar se do t’i vriste dhe abuzonte seksualisht ato dhe nënën e tyre.
“Do t’ju rrah për gjithçka, do t’ju vras”, thotë një mesazh i muajit prill, 2018, ku babai i akuzonte se kanë kryer marrëdhënie seksuale me një shok. “Ju jeni prostituta dhe do të vdisni si si prostituta”. Transkriptet e marrjes në pyetje gjithashtu tregojnë për një pamje të qartë të abuzimit mendor, fizik dhe seksual që datonte të paktën katër vjet para vrasjes.
Ne mendojmë se ato nuk kishin zgjidhje tjetër. Babi i çoi vajzat në një gjendje dëshpëruese. Ato nuk mund të krahasohen sot me njerëz të shëndetshëm, të qetë dhe të ekuilibruar. Vazjat kanë zhvilluar sëmundje të rënda mendore, përfshirë sindromën e abuzimit dhe çregullimin e stresit post-traumatik. Këto janë konfirmuar nga të gjitha ekzaminimet e bëra, tha një prej avokatëve të motrave, Aleksey Parshin.
Që prej verës së kaluar, aktivistët kanë organizuar dhjetëra demonstrata në mbështetje të motrave nën fushatën “Unë nuk doja të vdisja”, duke u bërë thirrje autoriteve që të riklasifikonin çështjen rreth vetëmbrojtjes së motrave. Edhe figura të njohura në Rusi, kanë reaguar në mbrojtje të vajzave.
Një hetim i vitit 2019 nga Media Zona, tha se gati 80% e grave ruse të burgosura për vrasje me paramendim në vitet 2016-2018 po përpiqeshin të mbroheshin nga një dhunues.
Në janar, zyra e prokurorisë konfirmoi pretendimet e bëra se motrat kishin pësuar “rrahje, poshtërim të vazhdueshëm, kërcënime dhe abuzime, dhunë fizike dhe seksuale” dhe se ato kishin zhvilluar një “reagim mbrojtës”. Prokurorët më pas, urdhëruan Komitetin Hetimor që të riklasifikonte çështjen nga vrasje me paramendim në vetëmbrojtje të nevojshme. Sipas avokates Parshin, kjo do të thoshte një “përfundim i hetimit penal”.
Por, në një kthim të çuditshem, Viktor Grin, i njëjti prokuror që në fillim rekomandoi rrëzimin e çështjes, konfirmoi në maj se do të ngriheshin akuzat e vrasjes me paramendim. Asnjë sqarim nuk u dha për ndryshimin.
Burimi: Anabelmagazine/CNN