
Kryeministri Hoti del pozitiv me Covid-19
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka konfirmuar përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook se ka dalë pozitiv në testin për Covid-19.
Hoti ka shkruar se nuk ka shenja apo simptoma përveç një kolle shumë të lehtë.
Tutje, ai ka shkruar se gjatë dy javëve të ardhme do të jetë në izolim, ndërsa obligimet shtetërore do t’i kryej nga shtëpia.
“Sot e kam bërë testin për covid-19 dhe kam rezultuar pozitiv. Nuk kam shenja, përveç një kollë shumë të lehtë. Nga sonte jam në izolim për dy javët në vazhdim. Do të kryej obligimet nga shtëpia”, shkruan Hoti.
Gjatë ditës, Hoti ka vizituar komunën e Dragashit ku është takuar me fermerë dhe ka vizituar fabrikën “MEKA”.
Përveç kryeministrit, edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka dalë pozitiv me Covid-19.
Gjithashtu edhe shefi i Hotit në Lidhjen Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, kishte dalë pozitiv me koronavirus, megjithatë i pari i LDK’së ka njoftuar para pak dite se është shëruar nga virusi.
Po ashtu, edhe një numër i konsiderueshëm i deputetëve kanë dalë pozitiv me Covid-19.