
Osmani i quan shpifje shkrimet në disa media dhe deklaratat e disa analistëve për pasurinë e saj
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ndaj shkrimeve, por edhe pohimeve të, siç i ka quajtuar ajo, disa analistëve e mediave të caktuara, që publikojnë, sipas saj, propagandë, duke i paralajmëruar se do t’i dërgojë edhe para ligjit për shpifjet ndaj saj.
“Tek këta ‘analistë’ e portale do të shihni titullin ‘Vjosa Osmani blenë tokë në vlerë 100 mijë euro në kohë pandemie.’ KJO NUK ËSHTË E VËRTETË. Nuk është blerë tokë në kohë pandemie. Deklarimi i pasurisë është i vitit 2019”, ka shkruar Osmani.
“Pas njëzet vjet pune në Kosovë, Shtete të Bashkuara e në Australi, si dhe me kredi të shumta, unë e bashkëshorti im kemi arritur të kursejmë për të kontraktuar një shtëpi, e cila akoma është në ndërtim e sipër. Ajo shtëpi është kontraktuar në vitin 2019, PRA JO NË KOHË PANDEMIE”, ka shkruar ajo.
Osmani ka shkruar se së bashku me bashkëshortin dhe dy vajzat, jetojnë në një banesë njëdhomëshe në Prishtinë që nga viti 2012.
“Secilin cent qe e kemi fituar përgjatë 20 viteve (meqenëse që të dy punojmë që nga viti 1999) mund ta arsyetojmë ligjërisht dhe kurrë nuk kemi keqpërdorë asnjë cent të taksapaguesve. Pra 20 vjet pune brenda e jashtë vendit si dhe kredi, për të kursyer për shtëpinë e cila akoma nuk është ndërtuar, por me ligj kërkohet të deklarohet vendi ku ajo do të ndërtohet si parcelë”, ka shkruar ajo.
Osmani ka kërkuar nga të gjitha mediat që ta largojnë këtë shpifje nga portalet e televizionet e tyre dhe ta publikojnë demantin e saj.
“Gjithashtu kërkoj nga analistët që më quajtën kriminele, hajn, abuzuese e cka jo tjetër, të tërheqin shpifjen, të kërkojnë falje dhe të publikojnë demantin. Natyrisht që nëse një gjë e tillë nuk bëhet do të jem e detyruar që të shfrytëzoj të gjitha mjetet juridike në dispozicion për të mbrojtur integritetin tim dhe të familjës sime”, ka shkruar Osmani.