Veprimet e autoriteteve lënë për të dëshiruar, jemi dy ditë para sfidës me Izraelin

Albin Kurti kërkon ndihmën e ambasadorëve për Covid-19: Kosova ndodhet në gjendje të rëndë
Rritja e rasteve të reja me Covid-19 dhe jetët e humbura nga kjo sëmundje, kanë shqetësuar jo pak autoritetet e shtetit të Kosovës.
Të ndodhur përballë kësaj situate të vështirë, ish-kryeministri i vendit, Albin Kurti u ka dërguar një letër ambasadorëve të shteteve mike dhe partnere të Kosovës, të cilëve u ka kërkuar ndihmë për të përballuar pandeminë.
Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje thotë se, rastet e reja dhe vdekjet javët e fundit kanë qenë në nivele dramatike, duke e renditur Kosovën të parën në botë për numrin e vdekjeve për 1 milion banorë.
“Me këtë histori dhe vlera të përbashkëta në mendje, si lider i partisë politike më të madhe në Kosovë, si politikani më i votuar, si aktivist dhe qytetar i shqetësuar i këtij vendi të varfër e të vogël por të qëndrueshëm, ju bëj thirrje që në këto kohëra të vështira dhe të pashembullta të ndihmoni institucionet tona shëndetësore në përballje me COVID-19 për shpëtimin e jetës së njerëzve.
Siç mund ta dini, situata me COVID-19 në dy muajt e fundit është bërë dramatike. Deri më tani 341 persona kanë vdekur, 10.419 janë infektuar, dhe 4.020 janë raste aktive. Në dy javët e fundit kemi pasur mesatarisht dhjetë vdekje në ditë, duke e renditur Kosovën të parën në botë për numrin e vdekjeve nga COVID-19 për milion banorë”, shkruan Kurti.
Në letrën e tij, ish-kryeministri thekson se qeveria Hoti ka ulur gjurmimin e kontakteve, ndërsa shton se ky veprim tregon se numri i të infektuarve mund të jetë shumë herë më i lartë në popullatë.
Më tej kreu i VV-së thotë se kapacitetet spitalore janë pothuajse të ezauruara dhe mjekët janë të detyruar të punojnë nën trysni dhe stres për të përballuar fluksin e pacientëve të prekur, të cilët sa vijnë dhe po shtohen gjatë ditëve të fundit.
“Në baza ditore kemi qindra raste pozitive ku më shumë se 50% të personave të testuar rezultojnë pozitiv. Duke pasur parasysh që qeveria në mënyrë drastike ka ulur gjurmimin e kontakteve, numri i të infektuarve është shumëfish më i lartë çka paraqet rrezik edhe më të madh nëse më shumë njerëz do të kenë nevojë për shtrim në spital. Burimet teknike dhe njerëzore të institucioneve të kujdesit shëndetësor janë shterruar kurse spitalet nuk kanë më kapacitete akomoduese. Të gjitha Njësitë e Kujdesit Intensiv janë të zëna ndërsa mjekët, specialistët dhe infermierët punojnë ditë e natë nën trysni dhe stres të jashtëzakonshëm. Më shumë se 1.000 punëtorë të kujdesit shëndetësor janë infektuar, që shfaq nevojën për më shumë staf mjekësor”, shton ai.