Veprimet e autoriteteve lënë për të dëshiruar, jemi dy ditë para sfidës me Izraelin

Shqipëri: Pesë viktima në 24 orë nga COVID, dy pa sëmundje shoqëruese
Ministria e Shëndetësisë bën të ditur se, gjatë 24 orëve të fundit kanë humbur jetën 5 persona për shkak të COVID-19. Mes viktimave janë një 46-vjeçar nga Gjirokastra dhe një 48-vjeçar nga Tirana që nuk kanë pasur sëmundje të tjera. Tre viktimat e tjera janë një 70-vjeçar nga Durrësi, një 81-vjeçar dhe një 84-vjeçar, të dy nga Tirana, të tre me sëmundje bashkëshoqëruese.
Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 603 testime për të dyshuar të prekur nga Covid 19, ndërsa 140 persona janë konfirmuar pozitivë. Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive ditore është: 72 raste në Tiranë, 14 në Kavajë, 12 në Fier, 10 në Kamëz, 6 në Kukës, nga 4 raste në Krujë, Kurbin, Mirditë, nga 2 raste në Shkodër, Korçë, Elbasan, Tepelenë, Bulqizë, nga 1 rast në Durrës, Lezhë, Lushnje, Vlorë.
Nga ana tjetër, gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 101 persona, duke e çuar numrin e të shëruarve në 3480, që nga fillimi i epidemisë. Aktualisht ne spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 124 pacientë të konfirmuar pozitivë me Covid19, 18 pacientë janë në terapi intensive, 4 prej të cilëve të intubuar.
Ministria e Shëndetësisë duke iu referuar situatës epidemiologjike në vend edhe njëherë u ka bërë apel qytetarëve që të japin kontributin e tyre në këtë luftë kundër virusit duke respektuar masat e vendosura.
“Të ruajnë distancimin fizik, të vendosin maskën detyrimisht në ambientet e mbyllura dhe kudo ku nuk ruhet distanca, të kujdesen për higjienën personale. Bizneset duhet të zbatojnë protokollet e miratuara të sigurisë, për të ruajtur shëndetin e qytetarëve”, u shpreh Rovena Daja nga Instituti i Shëndetit Publik.