
Ligji anti-COVID: Dënimet nga 35 deri 500 euro për ata që nuk respektojnë masat
Kuvendi i Kosovës me 77 vota për dhe 7 abstenime ka miratuar sot Ligjin për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19.
Ligji ka vetëm tetë nene. Në të thuhet se ‘ligji ka për qëllim që të krijojë hapësirën e domosdoshme juridike për autoritetet me qëllim të luftimit dhe parandalimit të pandemisë”.
Ky ligj i cili ishte iniciativë e kryeparlamentares Vjosa Osmani, rregullon anën ligjore, parandalimin, masat për mbrojtje, testimet, trajtimin, kompensimet shtesë, por edhe gjobat për shkelësit e ligjit e shumë elemente tjera që do ndihmojnë parandalimin e luftimit të Pandemisë.
Të gjithë ata të cilët nuk mbajnë maskë do të dënohen me 35 euro, ata që nuk respektojnë distancën poashtu do të dënohen me 35 euro.
Dënime më të larta parashihen për ata që nuk respektojnë orarin e kufizimit të lëvizjes ku dënimi është 200 euro, kurse për ata që nuk respektojnë izolimin dënimi është 500 euro.