Balenat e spermës janë parë duke përdorur armën e tyre të fundit kundër orkave sulmuese:
Shtyhet për të hënën takimi i liderëve të partive të koalicionit
Takimi i partnerëve të koalicionit qeverisës i paralajmëruar për sot nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është anuluar dhe është shtyrë për të hënën.
Kështu ka konfirmuar një zyrtar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ndërsa njoftuan se takimi pritet të mbahet të hënën.
Zëdhënësi i AAK-së, Lulëzim Blakaj tha se takimi është shtyrë për ditën e hënë.
“Sot nuk mbahet takimi i paralajmëruar, është shtyrë për ditën e hënë”, ka thënë ai.
Ndërkaq, nga Zyra e kryeministrit të Kosovës thanë se në agjendë të kryeministrit nuk ka pasur fare takim mes liderëve të partive në koalicionin qeverisës.
“Nëse ka informacione të reja do t’ju informojmë”, tha Xhavit Beqiri nga Zyra e kryeministrit.
Një nga arsyet e shtyrjes së takimit, siç merret vesh, është edhe fakti se disa nga liderët politikë nuk ndodhen në Kosovë, pasi që janë në pushime.
Ndryshe, takimi i partnerëve të koalicionit qeverisës ishte paralajmëruar një ditë më parë përmes një njoftimi për media nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
“Ju njoftojmë se kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, do të marrë pjesë nesër (e enjte), në takimin që do mbahet në ndërtesën e qeverisë, së bashku me liderët e tjerë të koalicionit dhe kryeministrin Avdullah Hoti”, thuhej në njoftim.