Sunday, May 22, 2022

“Exil” – rrëfimi nga Kosova bën histori në Sarajevë

Është një përvojë personale në një histori sfidash në mërgim. Si psikothriller dramatik mbi anën e parrëfyer të njerëzve me sfonde emigrantësh, filmi “Exil” i Visar Morinës ka marrë “Zemrën e Sarajevës”.

Kështu me çmimin kryesor në edicionin e 26-të të Festivalit të Filmit në Sarajevë, Morina ka bërë histori si i pari kineast nga Kosova të cilit i akordohet ky çmim.

Vetë regjisori nuk ishte i pranishëm në ndarjen e çmimeve pasi që, shkaku i pandemisë, ceremonia e ndarjes së çmimeve u mbajt virtualisht të enjten mbrëma.

Sipas vendimit të jurisë të kryesuar nga regjisori dhe shkrimtari francez Michel Hazanavicius, çmimi “Zemra e Sarajevës” për filmbërësin nga Kosova, që jeton prej vitesh në Gjermani, ka një vlerë prej 16 mijë eurosh, shumë e cila është bashkësponsorizuar edhe nga Asociacioni i Turizmit në kantonin e Sarajevës.

Në një video të dërguar për Festivalin, regjisori Morina ka treguar për ndjesinë që ia ka dhënë pranimi i këtij çmimi.

“Jam shumë i gëzuar me çmimin, faleminderit! E kisha një vit shumë të ngarkuar në realizimin e këtij filmi dhe ndonjëherë ndihesha më i humbur se vetë karakteri i filmit, e ky çmim më ndihmon shumë. Faleminderit jurisë dhe festivalit”, ka thënë ai.

E filmi i Morinës nuk ishte i vetmi në këtë festival. Në garën kryesore – atë për filmin më të mirë – ishte edhe debutimi i More Raçës me filmin e metrazhit të gjatë “Galaktika e Andromedës”. Me premierën që e pati mu në këtë festival, “Galaktika…” flet për Shpëtimin (Sunaj Raça), një baba 50-vjeçar, i papunë, i cili sfidë jetësore e ka punësimin për t’i siguruar strehë vajzës Zana (Elda Jashari). Në fakt, ky film ka shënuar edhe rikthimin e Kosovës me katër regjisorë në Sarajevë.

Pos tij aty ishte edhe filmi “Vera andrron detin”, i regjisores Kaltrina Krasniqi. Si fitues i çmimit “Post Republic”, në vlerë prej 50 mijë eurosh, ky film i metrazhit të gjatë është në fazën e post-produksionit. Ai ishte pjesë e programit “’Cinelink – Work in Progress’” në kuadër të festivalit.

Pjesë e Festivalit këtë vit ishte edhe filmi “Zana”, nën regji të Antoneta Kastratit. Drama ku personazhet përplasen me forca mistike, ankthe, besëtytni dhe magji, ishte pjesë e programit jogarues “In Focus”.

Një mi i ngordhur është shenja në formë oguri që diçka nuk është në rregull me jetën e Xhaferit. Kështu ftillëzohet filmi “Exil” i Visar Morinës për inxhinierin e kimisë nga Kosova, që jeton në Gjermani. Xhaferi (Mishel Matiçeviq) nuk ka ide për autorin e aktit, por e di që është një kanosje me prapavijë të qartë.

- Advertisment -

Lexoni