Pikëpyetjet e takimit të Uashingtonit – Zyra e Kryeministrit nuk ka njoftim për shtyrje
Zyra e Kryeministrit Avdullah Hoti nuk ka njoftime zyrtare nga Uashingtoni për shtyrjen evetuale të takimit në mes Kosovës dhe Serbisë, më 2 shtator.
Reagimi i Zyrës së Kryeministrit pason raportimet në media se ky takim është anuluar.
Këshilltari i kryeministrit Hoti, Xhavit Beqiri tha se nuk ka konfirmim zyrtar se ky takim është shtyrë.
“Zyra e kryeministrit nuk është në dijeni për këtë anulim të takimit. Po të kishte diçka të tillë menjëherë do bëhej publike nga ana e jonë”, tha Beqiri.
Tentativa e parë për mbajtjen e takimit Kosovë – Serbi në Uashington ishte në muajin qershor, mirëpo nuk u mbajt pasi Prokuroria Speciale publikoi propozim-aktakuzën kundër presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.
Ndërkohë, burime e RTV Dukagjinit bëjnë me edhe takimi i 2 shtatorit, nuk do të zhvillohet të mërkurën dhe është shtyrë për një datë tjetër.
“Nuk do të ketë takim më datën 2 shtator në Washington. Shtyhet për një datë tjetër”, tha ky burim.
Telegrafi ka kontaktuar Zyrën e kryeministrit për një përgjigje, por sipas tyre, deri tani nuk kanë diçka zyrtare.
“Deri më tani nuk e kemi këtë informacion. Zyra e kryeministrit nuk është në dijeni për këtë anulim të takimit…”, tha Xhavit Beqiri, këshilltar i kryeministrit Avdullah Hoti.
Ndryshe, Telegrafi i ka shkruar edhe Zyrës së ambasadorit Grenell dhe Zyrës së këshilltarit për Siguri, Robert O’Brien mirëpo deri tani nuk janë përgjigjur.
Takimi i 2 shtatorit ishte i planifikuar të mbahej në Shtëpinë e Bardhë, në mes të liderëve të Kosovës, kryeministrit Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësim të të dërguarit të presidentit amerikan për dialogun, Richard Grenell dhe këshilltarit për Siguri, Robert O’Brien.
Nëse ky takim nuk do të mbahet më 2 shtator, kjo do të jetë hera e dytë që takimi i planifikuar do të shtyhet për një datë tjetër.