Tuesday, May 24, 2022

Shqipëria në kërkim të vaksinës për Covid – Kërkon më të sigurtën dhe më efikasen

Vaksina do të jetë gati në fund të këtij viti. Ka një debat, në shumë vende të botës, nëse ajo duhet të jetë falas, apo edhe nëse duhet të jetë e detyrueshme për popullatën.

Duket se vendimi do të bazohet te strategjia që do të ndjekë secili shtet, ashtu sikurse ndodhi edhe me vendimin për izolimin, kur u përhap pandemia.

Shumë shtete europiane, edhe fqinjët tanë kanë nisur të realizojnë kontrata për të blerë vaksinat e mundshme për të përballuar koronavirusin.

Maqedonia e Veriut pak kohë më parë premtoi vaksinim falas për shtetasit e saj.

Ndërkohë që Shqipëria mësohet se është bërë pjesë e iniciativës botërore “covax”, në pritje të daljes së vaksinave përfundimtare

– “Akoma bota nuk ka një vaksinë të sigurt, janë pothuajse 7 vaksina të cilat e kanë kaluar fazën e dytë, janë vaksina tepër premtuese dhe ka iniciativa të ndryshme”.

“Një iniciativë është iniciativa botërore e COVAX, një iniciativë e shumë vendeve dhe shumë partnerëve të rëndësishëm ndërkombëtar në fushën e vaksinimit nën udhëheqjen e OBSH. Ne do të zgjedhim atë vaksinë që është efikase dhe e sigurt”,  – u shpreh shefja e Epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino.

Ndërkohë ministrja e shëndetësisë Ogerta Manastirliu tha se janë siguruar vaksinat anti-grip për tu shpërndarë falas për shtresat në nevojë

“Ne jemi të angazhuar për të siguruar programin e vaksinimit dhe këtë vit kemi siguruar shumëfishimin e vaksinave të gripit falas për kategoritë në nevojë, sipas përcaktimeve të Institutit të Shëndetit Publik….”.

Ende nuk ka një vendim për çeljen e fondeve nga qeveria për të blerë vaksinën anti-Covid.

Disa kompani europiane, amerikane dhe ruse apo kineze pretendojnë se janë afër fazës së prodhimit masiv të vaksinave, tek të cilat ka shumë shpresë për të mposhtur pandeminë.

BE ka porositur 300 milion doza nga një kompani britanike, për qytetarët e saj, por tha se do të ndihmojë edhe vendet e tjera europiane, me ekonomi të dobët, për blerjen e vaksinës.

- Advertisment -

Lexoni