Përfaqësuesi rus në OKB dezinformon për Kosovën: Nëse nuk i ndalojmë shqiptarët, Ballkani hyn në
Si lindi sektori i kujdesit intensiv?
Para vitit 1930, shumë prej atyre që kryenin operacione të ndërlikuara, vdisnin gjatë ose shpejt pas operacionit. Por, një kirurg i talentuar bëri një kthesë të rëndësishme në kujdesin shëndetësor.
Harvey Cushing ishte kirurgu më i shkëlqyer nga brezi i tij, për operacionet e trurit. Pacientët e tij e adhuruan atë, duke e përshkruar si të kujdesshëm dhe të sjellshëm. Megjithatë stafi nuk e përshkroi njësoj Cushing. Ata e njihnin kirurgun si një njeri të rreptë, të ftohtë dhe intolerant ndaj gabimeve. Por, ai u fal, sepse rezultatet e tij flisnin vetë.
Më 15 Prill 1931, Cushing kreu operacionin e tij të 2000-të të tumorit të trurit në Spitalin Peter Bent Brigham në Boston, Massachusetts. Pacientja e tij ishte një grua 31-vjeçare, Ida Herskowitz, e cila ishte diagnostikuar me një tumor që po i shkaktonte dhimbje koke të forta dhe gradualisht po shkatërronte vizionin e saj.
Operacioni zgjati disa orë. Cushing punoi me durim dhe përpikëri në trurin e saj të ekspozuar, duke mbërthyer enët e gjakut dhe duke prerë butësisht indin për të rikthyer shikimin e saj.
Para kirurgut Cushing, tetë nga dhjetë pacientë që u nënshtroheshin operacioneve të trurit vdisnin. Në spitalin e tij, kirurgu uli vdekshmërinë në vetëm 8%.
Cushing mori emrin “Babai i neurokirurgjisë”. Në një kohë para antibiotikëve, ekzistonte rreziku i përhershëm i infeksionit bakterial që vriste këdo që shkonte nën thikë. Mirëpo, Cushing operonte nën pastërtinë më të madhe. Ai mbante gjithmonë doreza dhe një maskë, duke bërë gjithçka që të mundte për të sterilizuar plagën dhe për të zvogëluar mundësinë e sëmundjes.
Ajo që e dalloi Cushing ishte kujdesi që ai u kushtonte pacientëve të tij edhe pasi kishte mbaruar operacioni. Kjo ishte një periudhë mjaft kritike atëkohë dhe rreziku që pacientët të vdisnin ishte i madh. Ai prezantoi sisteme të rrepta vëzhgimi, mbajtje të regjistrave për pacientët dhe përdorimin e parë të gjerë të rrezeve x dhe monitorimin e presionit të gjakut.
I gjithë reparti i Cushing i ngjante një njësie të kujdesit intensiv. Infermierët dhe stafi kirurgjikal e dinin se nëse çarçafët nuk shtriheshin siç duhet, veshja nuk ishte e pastër ose pacientët ankoheshin, ata do të ishin në telashe.
Reparti i Cushing kishte pak lidhje me njësitë e kujdesit intensiv sot, ku pacientët tani janë të rrethuar nga sensorë dhe monitorues, por koncepti ishte i ngjashëm. Ndërsa operacionet bëheshin gjithnjë e më komplekse, sidomos gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe në vitet 1950 kur kemi operacionin e parë të zemrës së hapur, praktika e kujdesit për pacientët edhe pas operacionit e filluar nga Cushing u përhapë shumë, duke shpëtuar jetë të shumta.
Në gusht të vitit 1952, Spitali Blegdam në kryeqytetin danez, Kopenhagen u mbush nga qindra pacientë të sëmurë rëndë me poliomielit. Por, mënyra e kujdesit intensiv të Cushing ishte paraparë vetëm për pacientët që i nënshtroheshin operacioneve të planifikuara dhe ende nuk ekzistonte njdonjë praktikë për kujdesjen e njerëzve të prekuar nga kjo epidemi.
Shumë shpejt poliomieliti mori përmasa botërore. Në gjysmën e parë të shekullit 20, pothuajse çdo vit, dhjetëra mijëra njerëz në mbarë botën u infektuan nga poliomieliti. Virusi godiste gjatë verës, sidomos fëmijët. Simptomat e para ishin të ngjashme me gripin. Në raste më serioze, poliomieliti sulmonte sistemin nervor, duke paralizuar viktimat dhe duke i lënë ata të paaftë për të marrë frymë. Ata që mbijetuan shpesh përfunduan me aftësi të kufizuara të përhershme ose vështirësi në frymëmarrje.
Trajtimi i vetëm në dispozicion atëkohë ishte një respirator mekanik i frymëmarrjes, i njohur si “Mushkëria e hekurt”. Pacientët shtriheshin brenda disa “arkivolëve” dhe jashtë u lihej vetëm koka. Makina detyroi mushkëritë të zgjerohen për të futur brenda ajër. Por në tërë Kopenhagën kishte vetëm një mushkëri të hekurt dhe kjo ishte shumë dëshpëruese për të gjthë pacientët që prisnin për trajtim.
Në një situatë të tillë mjeku kryesor në spital thirri një takim urgjent për të gjetur një zgjidhje. Anesteziologu Bjorn Ibsen sugjeroi që në vend që të detyronin gjoksin të zgjerohet duke përdorur presion negativ të siguruar nga një mushkëri e hekurt, të vendosinin ajrin drejtpërdrejt në mushkëri me një tub.
Por vendosja e një tubi përmes gojës ishte shumë e pakëndshme për pacientët. Ibsen propozoi përdorimin e teknikës relativisht të re të trakeostomisë. Kjo përfshinte prerjen e një vrimë të vogël në qafë, pak më poshtë laringut, dhe futjen e një tubi direkt në mushkëri.
Strategjia e Ibsen shpëtoi dhjetëra jetë njerëzish dhe çoi në spitalin që themeloi njësinë e parë në botë të kujdesit intensiv, me një repart të përkushtuar dhe staf infermieror.
Inovacionet e Ibsen në Demark u përhapen gradualisht në të gjithë botën. Kombinuar me praktikat e inicuara fillimisht nga Cushing, ata ndikuan që shumica e spitaleve të mëdhenj të ndërtojnë njësi të specializuara.
Ajo që filloi me një kirurg obsesiv dhe të vështirë dhe reagimin e shpejtë ndaj një pandemie, ka ndryshuar përgjithmonë mjekësinë dhe çoi në lindjen e sektorit të kujdesit intensiv.