Mustafa ende shpreson që pozitë e opozitë mund të bëhen bashkë për arritjen e marrëveshjes me Serbinë
Kryetari i Lidhjes Demokratike, Isa Mustafa, ka kërkuar unifikim lidhur me procesin e dialogut me Serbinë.
Ka thënë se duhet pasur kujdes që Serbia, mos t’i marrë vesh përplasjet e brendshme në Kosovë përmes debateve në televizione.
“Proceset politike me të cilat po ballafaqohet vendi kërkojnë bashkëpunim dhe besim reciprok të të gjithë akterëve. Dialogu me Serbinë për njohje reciproke, qoftë në Washington apo në Bruksel do të jetë më përmbajtësor dhe më i qëndrueshëm, nëse aksionarë të këtij dialogu janë pozita dhe opozita. Ndërkaq, strategjia e dialogut duhet të jetë çështje që diskutohet dhe formulohet nga Kryeministri dhe kabineti i tij i ngushtë me partnerët e koalicionit dhe liderët e opozitës”, shkroi Mustafa në Facebook.
Këtu shton se “Pa marrë parasysh arsyen dhe nevojën e komunikimit me publikun, duhet të kemi kujdes që për strategjinë tonë të mos merr vesh Serbia përmes debateve në studiot tona televizive dhe përplasjeve të brendshme, sepse kjo në start e dëmton pozicionin dialogues të Kryeministrit tonë”.
Mustafa thotë tutje se qeverisja e vendit me prioritete luftimi i Pandemisë, rimëkëmbja ekonomike sikurse edhe dialogu për njohje reciproke, kërkon respekt institucional ndaj Qeverisë por gjithsesi edhe brenda Qeverisë.
“Një politikë qeverisëse dhe një zë qeverisës i bashkërenditur me Kryeministrin”, thotë Mustafa duke shtuar se “LDK do të kërkojë që Qeveria të jetë e gatshme të bëjë rikonfigurime dhe ndryshime në çdo kohë për ata që nuk e kuptojnë rendin qeverisës dhe disiplinën qeverisëse; të cilët ndjekin agjenda personale apo partiake, apo për të cilët vlerësohet se e shpenzojnë pa meritë paranë publike”.
“Kemi premtuar Qeveri që do të jetë efikase në punën e saj, që do ta luftojë krimin dhe korrupsionin, që do të jetë racionale dhe e përgjegjshme ndaj parasë publike. Asnjë temë tjetër s’mund të na zhvendosë nga ky përcaktim”, përfundon Mustafa.
Ky reagim i Mustafës vjen pas përplasjeve të shumta mes partnerëve në koalicion, së fundmi, lidhur me çështjen e presidentit se kujt i takon.