Vdes gazetari Kastriot Shehdadi
Sot ka ndërruar jetë gazetari Kastriot Shehdadi, në moshën 52 vjeçare.
Shehdadi për shumë vite ka punuar si gazetar në disa mediume nga Kosova e Shqipëria, periudhë gjatë së cilës është dalluar për profesionalizëm dhe kontribut të pakursyer në përmirësimin e jetës së bashkëqytetarëve dhe shoqërisë sonë në pergjithësi.
Varrimi i të ndjerit Kastriot Shehdadi bëhet nesër, e merkurë në varrezat e qytetit në Gjakovë.
Për vdekjen e gazetarit dhe zyrtarit komunal, Kastriot Shehdadi ka njoftuar edhe Dega e partisë Alternativa në Gjakovë.
Kjo parti, vdekjen e Shehdadit e ka cilësuar humbje për gazetarinë dhe Komunën e Gjakovës.
“Kësaj radhe na tronditi lajmi për ndarjen nga jeta të gazetarit, publicistit dhe zyrtarit komunal Kastriot Shehdadi. Me Kastriotin bashkëpunuam për gjatë 4 viteve të qeverisjes në Gjakovë. Për Kastriotin nuk kishte rëndësi partia politike, ose kush e ka pushtetin. Ai gjithmonë përpiqej të ishte në krye të detyrës, ku me qetësinë që e karakterizonte dhe me aftësitë profesionale përmbushte përgjegjësinë që kishte”, thuhet në njoftimin e Alterantivës.
“Kastrioti adhuronte fjalën e lirë, e mbi të gjitha fjalën e shkruar shqip. Kastrioti pasuronte paraqitjet publike dhe zyrtare, me fjalime, lajme dhe njohuri të shumta që kishte. Humbja e Kastriotit është humbje për gazetarinë, zyrën për Informim të Komunës së Gjakovës dhe mbarë Gjakovën. Ngushëllime të sinqerta familjes Shehdadi, miqëve dhe bashkëpuntorëve”, përfundon njoftimi i tyre.
Shkaqet e vdekjes se Kastriot Shehdadit nuk janë bërë të ditura, ndërsa për të ndjerin kanë shkruar dedikime edhe shumë persona që e njohën.