Shtyhet për 14 shtator fillimi i vitit të ri shkollor
Viti i ri shkollor nuk do të fillojë më 1 shtator. Ky vendim është marrë pas një konsultimi në mes ministrit të Arsimit, atij të Shëndetësisë, kryetarit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, përfaqësuesit të sindikatës dhe këshillit të prindërve. Aty është vendosur që viti i ri shkollor të nis më 14 shtator.
Ky vendim, pason kërkesën e Sindikatës së Arsimit që të shtyhet ky proces për shkak se shkollat nuk kanë arritur të përgatiten.
Në dakordim theksohet se fillimi i vitit të ri shkollor më 14 shtator do të vijojë sipas vendimit të Ministrisë së Arsimit për fillimin e mësimit, Master Planit të MASH-së dhe Udhëzuesve përkatës të miratuar nga Qeveria.
Sipas vendimit, shtyrja e fillimit të vitit shkollor bëhet me qëllim të sigurimit të kushteve të sigurta për fëmijët, mësimdhënësit dhe prindërit: distanca, bartja e maskës dhe pastërtia.
“Po ashtu kjo do të sigurojë një mobilizim më të madh të përgjithshëm në përballje me pandeminë në Kosovë”, theksohet tutje në këtë vendim, raporton KOHA.
Po ashtu është arritur pajtimi që deri më 14 shtator, deri në fillim të vitit shkollor, do të punohet për:
Krijimin e një procesi dhe mekanizmi për certifikimin e shkollave si shkolla të gatshme për zhvillim të mësimit në kushte të pandemisë;
Testimin e një mostre të mësimdhënësve dhe menaxhmentit të institucioneve edukative e arsimore;
Deklarimi i prindërve, DKA-ve dhe Task-Forcave për respektimin dhe zbatimin strikt të udhëzimeve të MSH-së/IKSHPK-së;
Finalizimi i përgatitjeve fizike, sanitare dhe njerëzore nëpër të gjitha institucionet edukative e arsimore në Kosovë.
LEXONI EDHE KËTË: