Wednesday, May 18, 2022

Lajçak: Shkëmbimi i territoreve s’është në agjendën e dialogut

Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se ideja e korrigjimit të kufijve dhe shkëmbimit të territoreve mes dy vendeve s’është në agjendën e dialogut që ai ndërmjetëson.

Këtë e ka bërë të ditur në një letër të dërguar te Lobi Rajonal i Grave të Evropës Juglindore, që drejtohet nga ish-kryenegociatorja Edita Tahiri.

Lajçaku ka theksuar se ajo çfarë dëshiron është një marrëveshje që do t’i normalizojë raportet mes Kosovës dhe Serbisë dhe që do të mundësojë përparimin e dy shteteve.

“Siç e kam cekur në shumë raste, shkëmbimi i territoreve nuk është në agjendë për diskutim. Ajo që po kërkojmë është një marrëveshje që do të kontribuojë në stabilitetin rajonal, normalizojë marrëdhëniet mes Beogradit dhe Prishtinës dhe do t’iu ndihmojë të ecin përpara në rrugët e tyre respektive evropiane”, ka thënë ai ndër tjerash në letrën drejtuar këtij lobi.

Lajçak të enjten mbajti një takim në nivel ekspertësh mes Kosovës e Serbisë. Pas takimit, koordinatori shtetëror i Kosovës, Skënder Hyseni, akuzoi palën serbe se ishte jokonstruktive në takimin e fundit dhe se hapi tema, për të cilat tha se tashmë është arritur marrëveshje.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga BE-ja, rifilloi më 16 korrik, pasi ishte ndërprerë në fund të vitit 2018, kur Qeveria e Kosovës vendosi taksën ndaj mallrave serbe. Një takim tjetër mes liderëve të Kosovës e Serbisë pritet të mbahet më 4 shtator në Uashington.

- Advertisment -

Lexoni