Vuçiqi pret befasi nga takimi i shtatorit në Washington
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka folur për takimin e 4 shtatorit që pritet të mbahet në Washington.
Vuçiqi për mediat serbe ka thënë se pret surpriza nga pala kosovare nga ky takim. Ai ka konfirmuar se tashmë e ka gati agjendën për këtë takim por, megjithatë, ka thënë se mund të ketë befasi dhe se gjithçka nuk do të ndalet tek ajo agjendë.
“Nuk jam i sigurt se do të ndalet këtu. Fatkeqësisht, nuhatja ime politike shpesh ndien lloje të ndryshme, surpriza të mundshme, kurthe dhe gjithçka tjetër”, citohet të ketë thënë Vuçiq për “Tv Pink”.
Vuçiqi ka folur edhe për deklaratat e zyrtarëve në Kosovë për njohjen e ndërsjellë, derisa nuk mohoi se do të ketë diskutime për këtë çështje.
“Unë pres surpriza. Unë nuk hezitoj ta them këtë dhe do t’i kërkoj falje administratës amerikane nëse nuk ndodh ashtu. Edhe nëse koka ime është në cung ose përpara çfarëdo lloje sfide me të cilat mund të përballemi, ne do të mbrojmë interesat tona kombëtare”, ka thënë mes tjerash presidenti serb.